Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka theksuar në Konventën Kombëtare se i qëndron fortë propozimeve të saj. Ajo tha se kërkon që të ketë një buxhet të veçantë për gratë dhe vajzat kandidate nga PL. Kryemadhi u ndal edhe te nepotizmi, çështje për të cilën kërkoi që të mos bëhet propagandë, pasi në një parti politike ka të bëjë meritokracia.
“Nuk kisha ndërmend të flisja, por përderisa isha në axhendë i qëndroj fortë dy propozimeve të mia, për buxhetimin e buxhetit të grave kandidate për deputete apo këshillat bashkiakë. Nuk është diskriminim pozitiv, por e domosdoshme për gratë dhe vajzat. Propozimi im është për 30%, po të jetë vullneti i delegatëve e çojnë edhe më shumë. Sa i përket propozimit numër 2, për nepotizmin, i qëndroj që të mos bëhet propagandë me fjalën nepotizëm.
Në një parti politike nuk ka të bëjë nepotizmi, por meritokracia. Në Pushtet vendoset me emërim, aty emëron kryetari apo përfaqësuesi…Unë mendoj se edhe në PL ka ardhur koha, meqë na u përmend ligji për konfliktin e interesit. I shtoj pikës 70 propozimin për konfliktin e interesit, ku anëtari i PL nuk mund të propozojë individë që ka konflikt interesi”, tha Kryemadhi.