Milano është ndalesa e dytë e Edi Ramës, në turin e takimeve me diasporën shqiptare, teksa emigrantët shqiptarë pritet t’i drejtohen veriut të Italisë për t’u bërë pjesë e spektaklit të ofruar nga shefi i Qeverisë. Takimi takimi në Milano do te zhvillohet në orën 11:00 në pallatin e sportit ‘Busto Arsizio’.
Kryeministri Rama pritet të japë një mesazh drejtuar politikës dhe medias italiane, pas ‘përplasjeve’ të fundit me median Rai 3, apo me politikanë të opozitës italiane që kanë kundërshtuar marrëveshjen Rama-Meloni për ardhjen e emigrantëve afrikanë në kampin e Gjadrit në Lezhë.
Gjithashtu Marrëveshja për pensionet pritet që të jetë një nga diskutimet kyçe që kryeministri Rama do të zhvillojë. Turi i diasporës ka zhvendosur axhendën partiake të PS.
Ndryshe nga takimi i Athinës, problemet me organizimin këtë herë nuk kanë qenë të natyrës politike me autoritetet vendase.
Kujtojmë se takimi i parë i Kryeministrit me diasporën shqiptare ishte në Greqi, në datën 12 maj.
Kryeministri Rama u shpreh se vizita e tij në shtetin fqinjë nuk kishte synim “nxehjen e gjakrave” përsa i përket raporteve mes dy vendeve, por ardhja e tij kishte si qëllim të vetëm takimin me shqiptarët e Greqisë.