Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Spanjë ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s që do të zhvillohet ditën e mërkurë dhe të enjte në Madrid.
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama ishin të ftuar dje në darkën mbretërore gala organizuar nga Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia në Pallatin Mbretëror të Madridit, ku morën pjesë kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare të NATO-s.
Ditën e mërkurë, Kryeministri Rama, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do tëmirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.
Në vijim, Kryeministri Rama do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Samitin do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në Samit do të vizitojnë ekspozitën e teknologjisë së NATO-s.
Pasditen e së mërkurës, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama do të vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado, në Madrid, e më pas kryeministri Rama do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.
Samiti i NATO-s do të vijojë punimet të enjten, në ditën e dytë të tij, ku Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë, së bashku me Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Në këtë seancë, Samitit do t’i drejtohet edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Gerald Connolly.
Në ditën e dytë të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama do tëzhvillojë një takim bilateral me Kryeministren e Suedisë Magdalena Andersson.
Në përfundim, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.