Kryetari i Komunës së Luginës së Preshevës Shqiprim Arifi ka deklaruar në ‘Fax News’ se në takimin me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati ka kërkuar që qeveria e Shqipërisë të jetë më konkrete për të ndihmuar Luginën e Preshevës pasi janë minoriteti më i nëpërkëmbur në rajon dhe as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë bërë sa duhet për shqiptarët në këto troje.
Referuar çështjes së fundit që lidhet me kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, Shqiprim Arifi deklaroi se nuk do të lejohet në asnjë rast ndarja e Luginës së Preshëvës në rast se realizohet ideja e presidentit të Kosovës për ‘korrigjim kufijsh’.
Nga ana tjetër Arifi deklaroi se në takimin me Bushatin është kërkuar informacion mbi qëndrimin e Shqipërisë për dialogun mes Kosovës dhe Shqipërisë, për të sinkronizuar edhe qëndrimin e shqiptarëve të luginës.
“Kemi dashur që të merremi vesh se cili është qëndrimi i Shqipërisë në lidhje me këtë dialog. Parcelizimi i Luginës së Preshevës nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë, shkëmbimi i territoreve është në dëm të kombit shqiptar. Lugina nëse nuk përfshihet në tërësi atëherë të mbetemi aty ku gjendemi”, tha Arifi.
Nga ana tjetër ai deklaroi se me Bushatin është diskutuar dhe qasja e Shqipërisë ndaj Luginës së Preshevës, ku Arifi kujtoi privilegjet që kanë serbët e Kosovës dhe sipas tij Shqipëria duhet të kërkojë gjëra konkrete për shqiptarët dhe jo vetëm të bëhen politikë me deklarata patriotike.
Sa i përket qëndrimit për kufijtë e Kosovës, Shqiprim Arifi deklaroi se edhe sot Bushati i qëndroi idesë kundër ndryshimit të kufijve.
“Ministri Bushati e ka shprehur që është kundër ndryshimit të kufirit, edhe sot i qëndroi asaj ideje, edhe ne jemi që të mos shkëmbejmë territore, për ta mbrojtur integritetin e territorit në tërësi të Kosovës”, tha Arifi.
Referuar deklaratave të Thaçit për bashkimin e Luginës së Preshëvës, Medvegjën Bujanocit me Kosovën, kryekomunari i Preshevës u shpreh se e ka përshëndetur deklaratën e Thaçit pasi bëri temë Luginën e Preshevës, por nënvizoi se nëse kjo ide nënkupton cënimin e interesit kombëtar duke shkuar drejt ndarjes së Kosovës, atëherë do ta kundërshtojë.
“Aq sa kuptova, e përshëndesim që është bërë temë Lugina e Preshevës, kjo është në rregull, por tani duhet të bëjmë politikë reale, duke patur parasysh edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve.
Qeveria e Shqipërisë në bazë të rrethanave duhet të sinkronizohet me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por duhet të jemi të qetë dhe realist, sepse mund të dëmtohet interesi kombëtar.
Hashim Thaçi e bazon kërkesën e tij në bazë të referendumit të vitit 1992 që ka qenë i qartë që Lugina e Preshevës dhe tre komunat e saj të bëhen pjesë e Kosovës. Ky vendim është një vendim demokratik dhe i institucionalizuar. Për këtë arsye e kam përshëndet që Thaçi e ka bërë temë Luginën e Preshevës. Kam kërkuar që të bëhet temë e dialogut.
Nuk do të ketë copëtim të luginës, nuk do ta lejojmë në asnjë formë, ka ide të të tilla, por nuk ka copëtim, nuk lëmë asnjë shqiptar në anën e Serbisë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse është e lehtë që Serbia të lejojë që të 3 komunat, duke përjashtuar ndarjen e tyre, ti lejojë të bashkohen me Kosovën, Arifi dha këtë përgjgije “ Nuk është asgjë e lehtë, por nuk është kjo pyetja, çështja është, a është në rregull parimisht dhe a e dëmton interesin kombëtar, nëse nuk kemi dobi të interesit kombëtar atëherë duhet të ndalemi dhe ti shohim gjërat nga një perspektivë reale.
Për ndarje kufish në bazë etnike është një ide e kaluar dhe nuk besoj se do të ketë mbështetje.
Nëse mirren vesh për parcelizim ne do ta kundërshtojmë marrëveshjen, edhe për shkëmbim territoresh do ta kundërshtojmë. Besoj që çdo marrëveshje që arrihet të përfaqësojë të gjithë vullnetet. Ne jemi të nenglizhuar edhe nga qeveria e Serbisë por edhe e Kosovës dhe e Shqipërisë”, tha Shqiprim Arifi.
Një tjetër kërkesë që ai adresoi ishte dhe që lugina e Preshevës të përfshihet në buxhetin e Kosovës dhe Shqipërisë dhe të hapet një zyrë kordinative që të adresojë kërkesate Luginës së Preshevës.
“I thamë qartë që Lugina e Preshevës të përfshihet në buxhetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Gjithashtu të hapim një zyrë kordinative që të merret me kërkesat tona”, tha ndër të tjera Arifi.
Intervista e plotë:
(B.H/Faxweb)