Kryedomokrati Sali Berisha gjatë bisedës me qytetarët u pyet për datën e protestës kombëtare. Ai nuk dha një datë se kur mund të mbahet kjo protestë, por shtoi se PD-ja është e gatshme të qëndrojë dhe të bëjë rolin që i takon përballë kësaj qevere, e cila sipas tij ka përvetësuar të gjitha pushtetet duke ia kaluar edhe Ramiz Alisë në fillim të viteve 1990.
Berisha tha se Edi Rama po përpiqet të mbajë peng PD përmes presioneve ndaj Gjykatës, por shtoi se kjo qasje nuk do mund të realizohet prej tij.
“Ne jetojmë sot në kushte e një monizmi të plotë, ku një njeri në traditën më të zezë të etërve të tij dhe një etje të pashuar për pushtet dhe pasuri ka vënë nën kontroll të gjitha pushtete. Edi Rama sot kontrollon 10 % pushtet më shumë se Ramiz Alia në ’91. Ne jemi forca kryesore politike e vendit, ai kërkon të hakmerret me PD. Ai do pësojë fatin e etërve të tij dhe se demokratët nuk mposhtën kurrë, Demokratët janë forca politike që udhëhoqi revolucionin, hodhi themelet e tregut dhe demokracisë në Shqipëri,realizoi ekonomi funksionale të certifikuar nga raportet ndërkombëtare, anëtarësuan Shqipërinë në NATO, këshillin e Evropës dhe hoqëm vizat, por mbi të gjitha do thosha këtu është se bën avokatinë e çështjet kombëtare. Protestat e fuqishme do synojmë të dridhim themelet e kësaj qeverie”, tha Berisha.