Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, në një deklaratë të dhënë për mediat, ka informuar mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri.
Fico u shpreh se në 24 orët e fundit në vendin tonë janë kryer 32 testime të reja, nga të cilët 5 kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, duke e çuar numrin total të të prekurve në 64.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 32 persona, nga të cilët 5 kanë rezultuar pozitiv. Nga 5 personat që rezultuan pozitiv 3 janë shtetas italian që gjenden në vendin tonë, një i moshuar 80 vjeç, dhe një 40 vjeçar.
Në spitalin Infektiv ndodhen 32 pacientë të shtruar, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje më të rënduar, por nuk ndodhen në respiracion të drejtuar”, u shpreh Fico.
Drejtoresha Fico tha se Ministria e Shëndetësisë i ka marrë të gjitha masat në blerjen e testeve të reja për personat që dyshohen me COVID, dhe nuk ka mungesë të tamponeve.
Deklarata e plotë e Ficos:
Ju bëj me dije se, në 24 orët e fundit janë testuar 32 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar:
Jane 5 raste të reja me COVID-19:
– 3 prej të cilëve shtetas Italian që ndodhen aktualisht në Shqipëri
– Një 80 vjeçar dhe nje 42-vjeçar nga Kavaja
Deri në këto momente testuar 697 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 64 raste:
- Tiranë 45 qytetarë
- Durrës 5 qytetarë
- Lushnje 2 qytetarë
- Elbasan 2 qytetarë
- Fier 6 qytetarë
- Rrogozhinë 2 qytetarë
- Kavajë 2 qytetar
Jane shënuar deri tani dy raste humbje jete
Ne Spitalin Infektiv ndodhen 32 paciente te shtruar.
3 pacientë janë në terapi intensive, por asnjëri prej tyre nuk është në respiracion të drejtuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element I rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.
Sikundër ju është bërë me dije nga Ministrja e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, ka marrë një tjetër sasi të konsiderueshme të testeve diagnostike për COVID-19.
Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor.
Edhe një herë një lutje për qytetarët: Mos shkoni menjëherë në spital!
Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes!
Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat e higjienës vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të vijojnë të qëndrojnë në shtëpi.
(E.K/Faxweb.al)