Një 19-vjeçar u arrestua nga Policia, pasi hodhi lëndë piroteknike drejt punonjësve të policisë të planizuar me shërbim para Kryeministrisë gjatë protestës së mbrëmshme të opozitës.
Sipas Policisë, shtetasi E. T., 19 vjeç, banues në Tiranë dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hedhur lëndë plasëse artizanale dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë të planëzuar me shërbim.
Si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital 3 punonjës policie.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit O. Gj., 18 vjeç, A. D., 40 vjeç, D. C., 19 vjeç, të tre banues në Korçë dhe F. L., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Pas përfundimit të protestës është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të punonjësve të Policisë dhe selisë së Kryeministrisë, të cilat janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm.
Vijon këqyrja e pamjeve filmike për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.