Ditën e nesërme përveç protestës së opozitës edhe LGBTI do të vijojë me marshimin e saj për 45 minuta me rradhë.
Nën moton “Koha e premtimeve skadoi” organizatorët kanë ndryshuar itinerarin me qëllim mospërfshirjen me çadrën e opozitës të ngritur në bulevard.
Aktivistja Xheni Karaj ka sqaruar për Ora News se ky komunitet ka marrë garanci për evitim të incidenteve nga Lulzim Basha dhe Policia e Shtetit.
Sipas Karajt është zgjedhur një itinerar marshimi në të cilin nuk preket në asnjë mënyrë çadra e demokratëve. “Ne kemi ndryshuar itinerarin tonë, parada jonë nis nga Pallati i Kongreseve për tu kthyer më pas tek Kuvendi, pa shkuar tek çadra. Nuk kemi asnjë punë me pjesën e çadrës, për të kaluar në Bllok tek ura e vogël e Bllokut do të kthehemi përgjatë Lanës dhe do të pedalojmë deri tek ura tjetër ku ndodhet Drejtoria e Policisë për tu kthyer sërish mbrapsht, për ta mbyllur në pikën e nisjes. Përveç komunitetit në çdo vit kemi një numër të madh miqsh që janë heteroseksualë dhe bashkohen me ne për të mbështetur miqtë që janë gay, familjarët e tyre që janë gay.”, u shpreh Karaj.
Por Karaj më tej ka theksuar se opozita ka dhënë garanci për evitimin e incidenteve gjatë kohëzgjatjes së paradës. “Ne kemi komunikuar gjatë gjithë kësaj kohe me Policinë e Shtetit, janë marrë masa sigurie si çdo vit. Dhe nga ana e protestuesve të PD nuk do kemi ndonjë incident sepse në fund të fundit të dyja palët dalin për të protestuar për të drejtat e tyre.”, përfundoi ajo. (J.V/Shuplaka)