Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit se marrja e kryesimit nga Shqipëria të OSBE-së është një ngjarje shumë e rëndësishme për vendin, ndërsa ka folur edhe rreth takimit të tij në Ukrainë ku u takuar em krerët e këtij vendi.
“Ende vijon të ketë viktima civile, së pari duhet të sigurojmë një armëpushim. Ajo çfarë na u kërkua ishte monitorimi i OSBE-së në terren. Duhet natyrisht vullnet politik nga të gjitha palët dhe nuk do të resht duke bërë thirrje për këtë. E pashë me sytë e mi se si ishte vështirësuar jetesa e njerëzve në vijën e parë të kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës”, tha Rama.
Rama foli edhe për disa nga sfidat që do të ketë gjatë vitit në vijim OSBE mes të cilave konfliktet, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe sidomos të gruas, dialogut mes shteteve etj.
“Organizata jonë luan një rol kyç edhe në fazat e paralajmërimit të krizave dhe tensionave. Ne e dimë personalisht në qeverinë time se sa efektiv është roli drejtues i grave. Lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit do të jetë një nga sfidat punës sonë. Gjithashtu lufta kundër krimit të organizuar. Promovimi i lirisë së shprehjes dhe të medias janë prioritetet tona urgjente. Korrupsioni gërryen shoqërinë tonë dhe në këtë mënyrë Shqipëria do të bëjë gjithçka mundet në rolin e drejtimit të OSBE-së që të bëjmë ç’është e mundur në luftën kundër tij.
Sfidë tjetër është dialogu, ndarja në rajonin tonë tregon se sa shumë kemi nevojë për të. Do ta bëj angazhim personal dialogun mes vendeve të OSBE-së. Parandalimi i incidenteve, mbrojtja mjedisore do të jetë pjesë e debateve të OSBE. Përpjekje kundër diskriminimit, ne kishim konferencën kundër semitizmit para se të vija në SHBA dhe ndamë përvojën me strehimin e hebrenjve”, tha Rama