Pas vendimit të gjykatës për të lënë në burg katër nga 11 kuksianët e arrestuar, avokati Altin Goxhaj është shprehur për Fax News se gjykata sot certifikoi vdekjen e Reformës në Drejtësi.
Më tej avokati u shpreh se Kryeministri Edi Rama procesin e Vettingut, po e bën duke qenë kryeprokuror, kryegjyqtar dhe kryepolic njëkohësisht.
“Gjykata e Apelit në Shkodër, tregoi sot se gjithë gjykatësit në gjithë Shqipërinë kanë frikë nga Vettingu sepse Edi Rama e përdor vettingun si kamzhik.
Kjo është Reforma në Drejtësi e Sorosit. Provat dhe faktet ishin njësoj për të gjithë. Gjykata e mori provën që i dhamë, e futi në dosje por nuk e mori në shqyrtim.
Ne që sot do të nisim ankimin në Gjykatën e Lartë.
Ditën e hënë do fillojmë nga puna për kallëzim penal të të gjithë prokurorëve e gykatësve të përfshirë në këtë paligjshmëri, bashkë me Edi Ramën e Fatmir Xhafën.” – ka paralajmëruar avokati Goxhaj.