Një ditë pas lirimit të ashtuquajturit “Baron i drogës” Alket Hatija, ka reaguar Ministria e Drejtësisë.
Ministri Gazmend Bardhi i ka dërguar një shkresë kryeinspektores së KLD-së Xhafertlari, ku kërkon verifikimin e rastit.
RASTI
I cilësuar si baroni i drogës nga mediat italiane, Alket Hatija i cili u arrestua para katër ditësh në qytetin bregdetar, pasi kërkohet nga drejtësia italiane, është lënë i lire vtëm një ditë më parë.
Policia kërkoi 40 ditë burg me qellim ekstradimin e Hatijes drejt Italisë, mirëpo Gjykata e Durrësit ka vendosur që ta lërë të lirë dhe ka refuzuar kërkesën e policisë.
Hatija është arrestuar para katër ditëve në Durrës, ndërsa po shkonte të takonte një mikun e tij.
Siç duket kjo dalje e tij pas shumë kohësh, ka bërë që ai të pikasej nga policia. Mësohet se “baroni” jetonte i fshehur në një vilë i izoluar sikur të ishte në një bunker në Berat dhe rrethohej gjatë gjithë kohës nga truproja të armatosura.
“Ansa.it” shkruan se Hatija akuzohet për transportimin në Milano, në periudhën 2003-2004 të 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kg kokainë. Ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milionë euro. Mirëpo kjo nuk është e gjitha. Sipas hetimeve të policisë italiane, Hatija ishte një trafikant “i pastër”, në kuptimin që nuk prekte një gramë drogë me dorë.
Mirëpo ai e realizonte transportin përmes urdhrave që jepte përmes telefonëve celularë njëpërdorimësh. (D.D/Shuplaka)