I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” në News 24, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar edhe lajmin kryesor të ditëve të fundit, lirimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.
Sipas kreut të PD-së, kjo është një problem i ngritur nga partia që ai drejton që prej vitit 2013.
“Kemi afro tre vite që kemi denoncuar si problem kryesor të kësaj qeverie, lidhjen me krimin. Ai ka kapur politikën dhe shtetin. Këtu lidhjet dalin haptazi pas makinës së Tahirit dhënë Habilajve, ndërsa ky është rasti i dytë ku një kryetar bashkie i ofron punë një personi të lidhur me botën e krimit”, tha Basha.
I pyetur nëse Lulzim Berisha ka qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Demokratike, Basha e mohoi diçka të tillë.
“Jo. Ky është arrestuar në vitin 2006 nga qeveria e PD-së. Gjatë opozitës së PD-së është denoncuar me emër dhe figurë. Është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykatat, nga të njëjta gjykata që sot e lirojnë”, shtoi Basha.