Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha është liruar nga burgu pasi u arrestua në janar tw vitit 2015 pas operacionit “Xibraka” në Elbasan ku u sekuestrua një laborator ku përpunohej drogë e llojit kokainë.
Ai ishte dënuar për trafik narkotikësh në tentativë. Hoxha u dënua në korrik 2017 nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.
Ermal Hoxha është liruar me kusht. Atij i ka mbetur edhe 1 vit e 6 muaj burg pa vuajtur.
Ermal Hoxha u arrestua së bashku me 8 persona të tjerë në operacionin “Xibraka”. Pas atij operacioni opozita artikuloi akuza të forta se pas “Xibrakës” qëndronte vëllai i kryeministrit Rama, Olsi Rama.
Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar dënimin me 126 vite burgim në total për anëtarët e grupit të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike, i njohur si grupi „Xibraka“.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi konkretisht dënimet, si më poshtë:
I pandehuri Ilir Hyseni të dënohet me 14 vjet burgim
I pandehuri Genci Xhixa të dënohet me 15 vjet burgim
I pandehuri Arjan Dalipi të dënohet me 13 vjet burgim
I pandehuri Cesar Avila të dënohet me 14 vjet burgim
I pandehuri Valter Moreno të dënohet me 14 vjet burgim
I pandehuri Ermal Hoxha të dënohet me 13 vjet burgim
I pandehuri Sajmir Batku të dënohet me 15 vjet burgim
I pandehuri Gentian Gjonaj të dënohet me 14 vjet burgim
I pandehuri Kelmend Dalipi të dënohet me 14 vjet burgim
Por Gjykata pranoi kërkesën e të arrestuarve oër gjykim të shkurtuar dhe nipi i Enver Hoxhës u dënua me 6.8 vite burg.
Ilir Hyseni, një tjetër i dënuar i grupit me 8 vite burg, nga 12 vite që ishte dënuar më parë.
Genci Xhixha nga 13 vite, në 8 vite e 9 muaj burg
Gentian Gjonaj, nga 11 vite, në 7 vite e 4 muaj burg.
Saimir Batku, nga 13 vite në 8 vite e 9 muaj burg
Kelmend Dalipi nga 11 vite në 7 vite e 4 muaj burg
Cesar Avila, nga 13 vite në 8 vite burg
Valter Moreno, nga 13 vite në 8 vite burg.
Dosja e Prokurorisë për Krimet e Rënda
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se ka nisur në bazë të një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në datë 17.12.2014 nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të lëndëve narkotike. Ky informacion iu përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në dt. 18.12.2014, regjistroi me iniciativë (kryesisht) procedimin penal për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe vijoi hetimet lidhur me personat e dyshuar si të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal.
Në bazë të të dhënave të përfituara gjatë hetimeve paraprake, të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në datë 14.01.2015, prokuroria njofton se u organizua operacioni për arrestimin në flagrancë të disa shtetasve, të cilët gjendeshin në ambjentet e një ish-magazine, e cila rezultoi që ishte shndërruar nga të dyshuarit në një laborator për përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë. Po ashtu, në vijim të operacionit, në bazë të të dhënave të përftuara gjatë hetimeve paraprake të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrestuan edhe disa persona të tjerë në zona të ndryshme, në total u arrestuan 9 persona.
“Në bazë të veprimeve paraprake dhe provave materiale të zbuluara gjatë operacionit, personat e arrestuar, dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë, “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope, “prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” si dhe “grupit të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 283/a-22, 284/c, 284/ç, 285 dhe 333/a. Ndërkohë, dy prej tyre akuzohen edhe për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/4 të Kodit Penal. Në bazë të të dhënave të siguruara deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për 9 personat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të akuzuarit:
- Ilir Hyseni
2. Gentian Gjonaj
3. Kelmend Dalipi
4. Arjan Dalipi
5. Sajmir Batku
6. Ermal Hoxha
7. Kastriot Imeri
8. Cesar Avila
9. Valther Moreno
Prokuroria për Krimet e Rënda ka krijuar dyshimet e para mbi rolet e të arrestuarve nga operacioni policor që zbuloi të mërkurën një laborator të drogave të forta në Xibrakë të Elbasanit.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal me role të ndara. Burime të Prokurorisë bënë me dije se i arrestuari Ilir Hyseni realizonte kontaktet me furnitorët dhe blerësit fundorë në Gjermani.
I arrestuari Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, dyshohet se siguronte mjetet financiare.
Pjesa tjetër e të arrestuarve dyshohet të jenë korrierë, ndihmës dhe bashkëpunëtorë të niveleve më të ulëta.
Burime pranë organit të akuzës konfirmuan që grupi i trafikut ka të paktën një vit që vepron në Shqipëri, por aktiviteti i dy muajve të fundit është monitoruar.
Sipas të dhënave nga hetimi, i arrestuari Ilir Hyseni është personazhi kryesor që mbulonte sigurimin e drogës jashtë vendit dhe sjelljen e saj në Shqipëri.
Në vijim ishte po ai që survejonte kalimin e saj në vende të Europës, kryesisht në Gjermani. Sipas hetimeve, i arrestuari tjetër i këtij operacioni, Ermal Hoxha, ka pasur rolin e financuesit dhe të financierit.
Ai dyshohet se ishte personi që mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe që merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post