Komisioni Europian është në përmbyllje të procedurave për të zgjedhur përfaqësuesit ndërkombëtarë që do të jenë pjesë e operacionit ndërkombëtar të monitorimit sipas asaj që është sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë.
KE, në përgjigjen kthyer Ora News, shprehet se, insitucionet e Bashkimit Europian po punojnë për të përcaktuar hollësitë e operacionit monitorues në të gjithë komponentët, ndërsa bisedimet për përgjegjësitë dhe konfigurimin e tij vazhdojnë ende.
Operacioni ndërkombëtar i monitorimit është i sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë të miratuar me 21 korrik dhe do të jetë pjesë integrale e rivlerësimit të gjithë trupës gjyqësore në vend.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë do të monitorojnë procesin e rivlerësimit në të gjitha nivelet e tij, duke filluar që nga mbledhja e dokumentacioneve në institucionet ndihmëse si ILDKPI apo SHÇBA dhe më pas në Komisionin e Kulifikimit dhe Kolegjin e Apelimit.
Rrëzimi i vendimit të operacionit ndërkombëtar do të kërkojë pesë nga gjashtë votat e komisionit parlamentar, duke e shëndërruar praktikisht vendimin e ndërkombëtarëve në të pakthyeshëm.