Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet. Raportohet se një sasi lënde plasëse i është vendosur lokalit “Jujo” në rrugën “Deshmoret e 4 shkurtit”, i cili është në pronësi të shtetasit Arben Koçollari, emri i të cilit nuk rezulton që të ketë precedentë të mëparshëm penalë.
Lokali ndodhet në katin e parë të një pallati, ndërkohë që shpërthimi ka alarmuar banorët të cilët kanë dalë jashtë banesave të tyre, por fatmirësisht dëmet janë shënuar vetëm materiale. Policia thotë se po punohet lidhur me identifikimin e autorëve.
Ndërkohë siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme, të siguruara nga Fax News mëngjesin e sotëm, si pasojë e shpërthimit që ka qenë i fuqishëm, ka pasur dëmtime dhe në bizneset përrreth, kryesisht në xhamat e tyre. Ndërkohë vetë lokali që ka qenë objektiv i shpërthimit, është rrethuar, dhe është kthyer tashmë në një skenë krimi.
Lidhur me ngjarjen ka pasur një njoftim zyrtar dhe nga ana e Policisë; Më datë 11.06.2020, rreth orës 03.30 të mengjësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A.K., në rrugën “Deshmoret e 4 shkurtit” ka shpërthyer një sasi e dyshuar si lëndë plasese.
Si pasojë e shpërthimit nuk ka asnjë të shtetas të lënduar, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. (E.K/Faxweb.al)