Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, ka reaguar pas deklaratës së deputetit socialist Alket Hyseni, i cili u bëri thirrje organeve ligjzbatuese që të fillojnë menjëherë procedimin penal dhe gjetjen e autorëve përgjegjës për ujërat e zeza që janë hedhur në rrugët dhe në bregdetin e Ksamilit.
“Lexova një reagim “të bujshëm” të një deputeti të PS për Ksamilin.
Pas pushtimit të bregdetit nga “fekalet” atje, që na i përkëdhel si “ujëra të zeza”, ky “derëziu” premton se tani që “i shpërthyen” “do i verë gjoksin” punëve se i është “prishur” imazhi i rrënuar!!!!
Po pse lodhet e çirret kaq shumë në FCB?!
E ka më te lehtë një SMS “spiunimi” shefit. Kundër atyre që na i ditka, siç dhe thotë në status: projektuesit, përgjegjësit të projektit, firmës.
Pastaj këta i fut Rama tak-fak në burg, si “sabotatorë” të Rilindjes Urbane.
Apo jo?!!
Apo “spiunimin” dhe burgun ia kanë lënë dhuratë popullit këta
“shtetvarrëmihësit”?!”, reagon Boçi me ironi, pas deklaratës së Hysenit.
Kutjojmë se më herët, Hyseni shkruante se do të jetë në ballë të përpjekjeve për të siguruar dëmshpërblimin e të dëmtuarve, nga derdhja e ujërave të zeza në rrugët e Ksamilit.
“Duke i bërë thirrje urgjente Bashkisë Sarandë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve që të stabilizojnë menjëherë situatën alarmante, kërkoj me forcë nga organet ligjzbatuese, që të fillojnë menjëherë procedimin penal, gjetjen e autorëve përgjegjës dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore, penale dhe civile, të shkaktarëve të kësaj gjendjeje, të cilët me cilësinë e dobët të punimeve, projektin e devijuar apo keqpërdorimin e fondeve, rezultojnë të përfshirë në këtë aferë ulëritëse, me pasoja të rënda për shumë biznese të zonës, për qytetarët, si dhe për dëmtimin e imazhit turistik të Kasmilit dhe gjithë Shqipërisë.
Nga ana tjetër siguroj çdo të dëmtuar nga kjo situatë, që do të jem në ballë të përpjekjeve për rikuperimin e pasojave dhe dëmshpërblimin e tyre.”, shkruante Hyseni. (D.D/Shuplaka)