Në një kohë që në selinë blu po diskutohet djegia e mandateve të deputetëve, kryeministri Rama është i bindur se dy forcat opozitare nuk do të gjejnë rrugën e marrëveshjes. Këto deklarata të Ramës janë bërë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ndërsa kryeministri shton më tej se Lulzim Basha është duke luajtur bllofin.
‘’Opozita dështoi me sukses të plotë në orvatjen e saj të dëshpëruar dhe tani premton djegie mandatesh. Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një cadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jete sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë por luan bllofin”, është shprehur Rama, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur dhe punën e mirë që ka bërë Policia e shtetit sipas tij në ditën e protestës.
“Le ta përgezojmë e falenderojmë të gjithë së bashku ministrin e brendshëm e përmes tij drejtuesit e punonjësit e Policisë së Shtetit, për menaxhimin e shkëlqyer të një proteste të gatuar për dhunë e për destabilizim. Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit, sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve.
Sidoqoftë ne do të ecim drejt, duke dëgjuar njerezit, duke e përmirësuar cdo ditë qeverisjen, duke u organizuar më mirë se asnjëherë për zgjedhjet vendore. Hyjnë nuk hyjnë ata në zgjedhje, (që unë them që do hyjnë pasi të bëjnë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit), ne duhet të fitojme jo thjesht votat e shumicës, po zemrat e besimin e edhe më shumë qytetareve se sa herën e shkuar”, ka thënë më tej Rama.
Mësohet po ashtu se një grup pune i drejtuar kryetari i ligjeve Ulsi Manja dhe ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, do të propozojnë këto ditë sanksione të forta në rregulloren e kuvendit për deputetët që përdorin dhunë të çdo forme apo fjalë të rënda në parlament.
(E.K/FAXWEB.AL)