Deputeti i Partisë Socialiste, Pandali Majko në fjalën e tij në seancën plenare ku po diskutohet për pr.rezolutën anti-korrupsion të propozuar nga mazhoranca, tha ndër të tjera se veprimet e drejtësisë ndaj politikës, kanë krijuar edhe një tjetër opozitë.
Ai e konsideron SPAK, si suksesin më të rëndësishëm të “Drejtësisë”.
Sipas, dukeqenësë se PS ka 3 mandate në pushtet, socialistët normalisht duhet të ishin të lodhur dhe opozitës duhet t’i shkëlqente qëllimi i të ardhmes.
“Sot statusi i Shqipërisë është në ditën më të mirë në procesin e integrimit europian. Por statusi i politikës shqiptare përballë publikut është në ditën më të keqe që prej dhjetorit 1990. Sot ka më shumë se një opozitë. Vlerësoj se veprimi i drejtësisë mbi politikën ka krijuar edhe një opozitë tjetër. Ajo lidhet me SPAK i cili duke u marrë me politikën ka prodhuar politikë.
SPAK nuk është organizatë kriminale, por suksesi më i rëndësishëm i reformës në drejtësi duke e kthyer atë në strukturën shtetërore më popullore në publikun shqiptar. Rezoluta që po diskutojmë nuk është revolucioni i mnunguar në radhët tona. Ju mund të keni dyshimet tuaja për t’i parë paragrafet e rezolutës si kurthe të cilat mazhoranca po ia ofron për të dalë si djem të mirë në marrëdhënie me Brukselin dhe Uashingtonin. Qeverisja është e mazhorancës, jo shteti. Shteti po hyn në një fazë të re të integrimit në BE. Ne do ta ndjekim këtë proces ose si protagonistë të reformës ose me statusin e kandidatit për në burg. Të shihet ose si kapitull i parë i një libri i ri ose një pamundësi e jona për t’u bërë atë që duam. Rezoluta flet për Shqipërinë e 2030, flet për një Shqipëri që ka zgjedhje dhe votues për të na vlerësuar deri atëherë. Ne socialistët jemi në mandatin e tretë qeverisës, duhet të ishim të lodhur dhe opozitës duhet t’i shkëlqete qëllimi i të ardhmes. Ju duhet të ishit protagonistët e kësaj rezolute”, tha Majko.