Emërimi i Besart Kadisë në postin e zëvendësministrit të Financave dhe të Ekonomisë, duket se shkaktoi një tërmet në media dhe në rrjetet sociale, për shkak të kalimit të tij nga këshilltar Ekonomik i Lulzim Bashës, te ”krahët” e socialistit Edi Rama.
Kjo lëvizje e Kadisë, por edhe kryeministrit, duket se nuk është pritur mirë as nga vetë të majtët, ku dy prej tyre, njohës të mirë të çështjeve ekonomike kanë reaguar në rrjetet sociale, edhe me doza ironie.
Bëhet fjalë për ish-ministrin Arben Malaj, dhe zëvendësministren Irena Beqiraj, të cilët janë skeptikë sesi politikat e reklamuara nga Kadia do të mund të aplikohen në një qeveri të quajtur të majtë si ajo e Edi Ramës.
“Miremengjesi, ka shume debat per emerimin e Bes-Artit nga Rama si zvminister I financave. E para individi Kadia eshte I lire te bej dhe ri bej zgjedhjet dhe perzgjedhjet e tij edhe politike Ndersa fenomeni “Kadia” mbetet shqetesues per shoqerine tone.
Ndersa PD e ka respektuar Bes-Artin edhe kur e ka shkarkuar sepse nuk e ka bere publike shkarkimin, Kadia duhet ta bente publike divorcin e tij me PD. Mungesa e sinqeritet publik eshte nje risk ne manaxhimin e finacave publike, gjithashtu. Bes-Arti po perbetohet se kete gje po e ben per te miren e Shqiperise- le te mos e paragjykojme. Por integriteti dhe kredibiliteti jane parakushte per cdo ambicie ne jete. Dite te mbare!! Arbeni”, shkruan Malaj në postiminm e tij.
Ndërkohë që Beqiraj tregohet dhe më e ashpër në qendrimin e saj, kur thotë se tashmë të djathtët do të ”marrin në qafë Perandorinë”, duke iu referuar Partisë Socialiste, ndërsa me humor shton se Kadia është marrë me 70% ulje nga PD.
“Tani e ka radhen Papa te lexoje vargje nga kurani te krishtereve, ne meshen e cdo te diele , ne San Pietro! Te djathtet do te na marrin me qafe Perandorine , doja te thoja Partine. Jo mire e kisha Perandorine . Sepse partite kane nevoje per ideologji edhe njerez me bindje te qarta.
Perandorite kane nevoje per Jenicere , te cilet per interesa personale hidhen sa andej kendej. Kur mendoj se politikat socialiste te financave gradualisht kaluan nga Angjeli dhe Ben Malaj tek Kadia me kujtohet nje ” gjoja ekspert i vererave qe i thoshte kamarierit: “me sill edhe nje 7 up per ta shuar pak kete veren Cabernet Sauvignon Conti d’Arco se duhet holluar pak”.
PD na e dha me 70% ulje….. ne ke do i japim PD -se ti kthejme nderin?”, shkruan Beqiraj në statusin e saj në rrjetet sociale.
Gjatë ditës së djeshme, pas publikimit të lajmit për detyrën e re që iu besua Kadisë, PD u tregua e kujdesshme që të publikonte një dokument, se ai ishte shkarkuar nga të gjitha pozicionet që mbante në këtë forcë politike që prej vitit të kaluar. (E.K/Faxweb.al)