Shpend Ahmeti është zgjedhur në vitin 2013 në krye të Komunës së Prishtinës me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, ku doli në balotazh me kreun aktual të LDK-së, Isa Mustafa me një diferencë prej 2500 votash.
Në zgjedhjet e radhës lokale që u zhvilluan në vitin 2017, Ahmeti korri një tjetër fitore, në një kohë që mbante edhe postin e numrit dy të “Vetëvendosjes”.
Ndërkohë, në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan dje, ai pavarësisht se ishte në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt, ka marrë një zhgënjim total në qytetin që drejton prej 6 vitesh.
E para edhe në Prishtinë në zgjedhjet e gjashtë tetorit ka dalë Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e udhëhequr nga Albin Kurti. Ky i fundit ka marrë në kryeqytet 37229 vota, në një kohë që deri më tani janë numëruar më shumë se 98% të votave.
E dyta në kryeqytet për nga numri i votave ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 32497 vota. E treta është radhitur PDK e Kadri Veselit me 15469 vota.
Me rezultat të thellë ndërkaq në vend të katërt radhitet koalicioni 100% me kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj.
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, së bashku me AAK-në në kryeqytet kanë marrë 7167 vota. Pas tyre radhitet koalicioni NISMA-AKR-PD me 4676 vota.
Kujtojmë se gjatë periudhës 2011-2018, Shpend Ahmeti ishte nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, i zgjedhur nga Këshilli i Përgjithshëm. Ai u tërhoq nga nga ky subjekt më 7 mars 2018. Ahmeti nuk iku i vetëm nga ‘Vetëvendosja’, pasi mori me vete edhe 11 deputetë të tjerë që në atë kohë kishin pakënaqësi për lidershipin e Albin Kurtit, figurës që sot është vendosur në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe ndërkombëtar falë rezultatit që korri në këto zgjedhje.
(F.GJ/FAXWEB.AL)