Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka thënë se presidenti i vendit Ilir Meta bëri shumë mirë që e ktheu mbrapsht për shqyrtim ligjin për për buxhetin e shtetit, pasi sipas tij kjo është një mundësi mirë për të reflektuar ndonjë zgjidhje nga ato që kërkojnë studentët.
Por, Manjani gjithashtu ka kritikuar qëndrimin e Metës kur ishte kryetar i LSI-së dhe në bashkëqeverisje me Ramën.
Manjani thotë se Ilir Meta në atë kohë nuk e ndaloi miratimin e ligjit për arsimin dhe “asnjë ligj të mbrapshtë që miratoi dje maxhoranca PS-LSI”, madje edhe kur deputetë të LSI-së dilnin kundër.
Sipas tij kjo po e dëmton LSI-në sot, por thotë se shpreson që ky “pësim të jetë bërë mësim pasi politika nuk është as marrëveshje punësimi e as zgjidhje e halleve të ditës”.
Postimi i plotë:
ndaj Metës dhe LSI: Shpresoj që ky pësim të jetë mësim
Ilir Meta, sot President i Republikës, bëri shumë mirë që e ktheu ligjin për Buxhetin e Shtetit.
Është padyshim një mundësi shumë e mirë për të reflektuar ndonjë zgjidhje nga ato që kërkojnë studentët.
Por, nëse Ilir Meta dje kryetar i LSI e bashkëkryetar i maxhorancës, do kishte ndaluar votimin e ligjit për Arsimin e Lartë, zgjidhja për studentët do ishte më e plotë.
Në fakt Ilir Meta nuk ndaloi dot asnjë ligj të mbrapshtë që miratoi dje maxhoranca PS-LSI. Nuk ndaloi as pislleqet e kontrollit të drejtësisë nga Rama; as koncensionet; as taksat e larta; as emigracionin masiv; as anashkalimin e Presidentit të Republikës; as kanabisin e drogën.
Asgjë, megjithse deputetë e ministra të LSI reagonin kundër këtyre gjerave. Pa llogaritur këtu persona të tjerë të njohur në publik e madje edhe Institucione ndërkombëtare si FMN.
Zaten kjo sjellje politike dëmton sot LSI. E bën atë të pabesueshme ne publik. Llogjika është e thjeshtë: pse duhet t’u besojmë juve sot në opozitë, kur dje në pushtet nuk e ndaluat këtë harbut që sot qeveris?!
Sigurisht që LSI do vijojë të jetë në politikë, por shpresoj që ky pësim të jetë bërë mësim. Politika nuk është as marrëveshje punësimi e as zgjidhje e halleve të ditës.
Politika duhet të shohë larg, ndryshe nuk është politikë.
(B.H/Faxweb)