Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati i cili ndodhet në Londër ku merr pjesë në Samitin e Londrës, takimi i pestë i Procesit të Berlinit ka thënë se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë do të nënshkruhet në një të ardhme të afërt.
Ndërkohë që Bushati e ka cilësuar një mundësi të artë takimin Rama-Tsipras në Londër që pritet të ndodhë sot për të përcaktuar linjat e drejtimit që duhet të jepen në këtë proces.
Bushati deklaroi gjithashtu se për marrëveshjen e detit ka rezistencë nga të dyja palët qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi.
Ministri i Jashtëm tha se rezistenca ka të bëjë më tepër me qëndrime politike si në Shqipëri dhe në Greqi duke u shprehur se segmente të caktuara ose preferojnë status quo ose janë kundër një perspektive të përbashkët evropiane të Shqipërisë dhe Greqisë.
“Ne kemi bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve për një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare, një marrëveshje e re që do të udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike, në fushën e detit, por mbi të gjitha një marrëveshje e re e cila do të ishte e drejtë dhe e zbatueshme për dy vendet tona. Nuk është një proces i lehtë, ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë ne në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë”, tha Bushati.
Ministri i Jashtëm theksoi dhe njëherë se përtej afateve që janë folur për përfundimin e marrëveshjes e rëndësishme për momentin që flasim është cilësia e punës së grupeve dhe vetë procesit. “Është folur shpesh për afate, u përcaktua pranvera, fillimi i vers, vera, vjeshta Afatet janë shumë të rëndësishme sepse janë një mundësi për të mbajtur të motivuar ekipet respektive që punojnë dita ditës për të gjitha marrëveshjet që janë në tryezë, por është më e rëndësishme në këtë moment që flasim, cilësia e punës dhe cilësia e këtij procesi. Besojmë se ndajmë të njëjtin mendim dhe me palën greke, që nuk duhet humbur kohë në këtë proces, sepse problematika tashmë është mbi 70-vjeçare, e stërnjohur dhe të gjitha opsionet janë shqyrtuar në tryezë”, tha Bushati.
Sa I përket çështjes së migracit, Bushati u shpreh se : “Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i njëjtë. Jemi për aplikimin e parimit të solidaritetit dhe proporcionalitetit, sipas të cilit, secili prej vendeve anëtare të BE dhe vendeve kufitare në këtë fenomen duhet të japin mbështetjen dhe kontributin e tyre për ta kapërcyer këtë krizë”.
Ministri foli më tej dhe për rëndësinë e samitit të Londrës, që për herë të parë solli në tryezën e Procesit të Berlinit çështjet e sigurisë, sundimit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.Takimi i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet në Varshavë të Polonisë në 2019.