Rudina Hajdari ka reaguar sërish në lidhje me takimin e sotëm të përfaqësuesve të partive politike në tryezën e diskutimit për Reformën Zgjedhore, ndërsa ka shprehur dakortësinë e saj në parim për dokumentin që u firmos nga Damian Gjiknuri, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi.
Por edhe pse ishte pjesë e tryezës, firma e Hajdarit nuk figuron në projekt-draftin paraprak të rënë dakort nga palët për nisjen e procesit të Reformës, gjë për të cilin ka dhënë edhe sqarimin e saj për Fax News.
“Parimisht jam dakord me përmbajtjen e dokumentit në fjalë, që u diskutua sot në mbledhjen e zhvilluar. Kam kërkuar që të ketë një qartësi më të madhe ‘sa i përket angazhimit që ky Këshill do të ketë në lidhje me diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, sic dhe e përmban objekti i Komisionit për Reformën Zgjedhore. Gjithashtu, duke qenë se u njoha SOT me përmbajtjen e këtij dokumenti, më duhet të marr pak kohë të konsultohem dhe me kolegët e mi në Parlament në lidhje me dokumentin në fjalë. Si përfundim, ajo c’ka është më e rëndësishme është fakti që takimi i zhvilluar bëhet në kuadër të dialogut për të garantuar një konsensus të gjerë dhe sa më transparent për procesin e Reformës Zgjedhore”, ka thënë Hajdari për gazetaren e Fax News, Eksiola Shehu.
(F.GJ/FAXWEB.AL)