Drejtuesja e INAS CISL Beskida Aliaj ishte e ftuar në një lidhje në ‘Skype’ për “Fax News” ku ka folur mbi marrëveshjen për njohjen e pensioneve Shqipëri-Itali.
Gjatë intervistës me gazetaren Alesia Dosti, Aliaj tregoi se si do të funksionojë procesi i miratimit të ligjit, teksa tha se është çështje kohe, por do të jetë e shpejtë.
“Nesër do të firmosin të dy ministrat e Jashtëm, ai shqiptar dhe ai italian. Më pas do të hidhet në Parlamentin italian, ku kam shpresë që do të votohet me shumicë votash. Pastaj, pas procesit të publikimit në fletoren zyrtare, do të miratohet. Pra, është miratuar nga qeveria, por ende nuk është ratifikuar në parlament.”
Ndër të tjera, Beskida Aliaj shpjegoi disa nga përfitimet e mundshme të pensionistëve me miratimin e kësaj marrëveshje.
“Ata që kanë mbushur moshën e pensionit (Shqipëri 64 vjeç dhe Itali 67 vjeç) do të marrin pensionet në të dyja shtetet, pra secili shtet jep kontributin e vet. Italia jep gjithashtu të drejtën të një ligji për pension, në bazë të vjetërsisë së punës. Konkretisht, në rast se emigranti ka punuar 42 vite e 10 muaj (për burrat), apo 41 vite e 10 muaj (për gratë), mund të dalë në pension edhe para kohe, sipas dëshirës,’- tregoi ajo për “Fax News”