Ditën e sotme ‘’Telegraf” ka publikuar një lajm ku flitet që në tavolinën e kryeministrit Rama ka një projekt për të mbyllur 163 qendra shëndetësore në të gjithë vendin.
“Shënjestra” e mbylljes duket se ambulancat e fshatrave, në të cilat nuk do të ketë më mjekë, mami e infermierë, për shkak të një skeme të re “rilindëse” të shërbimit mjekësor në Shqipëri. Sipas kësaj skeme, afro 60% e qendrave të banuara në zonat rurale, të cilat deri tani e kanë nga një qendër shërbimi mjekësor, nuk do ta kenë më.
Në gjithë Shqipërinë, projekti parashikon të mbyll 163 qendra të tilla mjekësore të grup-fshatrave ose fshatrave të mëdha! Shkak është varfëria buxhetore e shtetit për të përballuar pagat dhe shpenzimet mjekësore për këto qendra! Thuhet se për çdo 2 komunë në kufi me njëra-tjetrën, do të ketë vetëm nga 1 mjek dhe nga 1 infermier, të cilët duhet të përballojnë gjithë nevojat e zonave.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar dhe deputetja e PD-së Albana Vokshi. Ajo thotë në mënyrë ironike se kjo ishte shëndetësia falas që kishte premtuar deri dje kryeministri Rama dhe do ta zbatojë në këtë katërvjeçar të dytë të qeverisjes.
“Qe nga shtatori, shume zona rurale s’do kene me qender shendetesore, s’do kene prane mjek e infermier…s’do kene mundesi per sherbim shendetesor… Plot 163 qendra shendetesore do te mbyllen ne vjeshte… Ja pra Shendetesia Falas e Qeverise Rama 2!!!”, shkruan Vokshi.
(E.K/SHUPLAKA)