Mbyllet portali i qeverisë “Transparenca.al”. Kjo vjen pas disa muajsh rrallimi të aktivitetit. Postimi i fundit në faqe i përket datës 16 nëntor, ndërkohë që në muajin tetor ka pasur vetëm një postim dhe asnjë postim në muajin shtator.
BIRN, duke iu referuar burimeve nga Qeveria, shkruan se në muajin tetor që Kryeministria kishte vendosur ta mbyllte portalin, pa dhënë shpjegime specifike për arsyet që i patën shtyrë në këtë vendim.
E lançuar më 15 tetor 2015, me anë të një deklarate të Drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, Transparenca.al, premtonte se do të kthehej në një pikë referimi për gazetarët dhe publikun e gjerë, por siç duket ka dështuar.
Ende nuk dihet nëse qeveria do të hapë një portal të ri për zgjedhjet, duke patur parasysh draft-propozimin e deputetit të PS-së Taulant Balla që kërkon bllokimin e portaleve gjatë fushatës elektorale.
Deputeti Balla propozoi ndryshimin në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe propozimi i tij kërcënon portalet me mbyllje në rast se “angazhohen në propagandë zgjedhore”.
“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pa kontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të pa regjistruara të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”, thuhet në draft-propozimin e Ballës. (A.R/SHUPLAKA)