Kryeministri Rama ka folur në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë të mbajtur ditën e sotme në qytetin e Kukësit, ku ka bërë të njohur disa nga investimet që priten të bëhen nga qeveria në këtë qark, përfshirë ndërtimin e stadiumit të qytetit.
Kryeministri Rama është pyetur nga gazetari i ‘Fax News’ Ermal Hallaçi, se çfarë do të bëjë ai për rininë kuksiane pasi ka mbyllur universitetin në këtë qytet, degët profesionale, dhe tani do të mbyllë edhe bastet, duke pasur parasysh se ky qark është nga më të prekurit në Shqipëri nga emigracioni.
Rama në përgjigjen e tij artikuloi se mbyllja e basteve është një gjë shumë e mirë për rininë e kuksiane, por të njëjtën gjë ai tha edhe për universitetin, madje, sipas tij ashtu si bastet edhe universiteti u merrte paratë rinisë kuksiane, pa u dhënë dije. Për degët profesionale ai tha se ishin jashtë standartit, por shtoi se mund të hapen sërish.
“Një gjë shumë e mirë për rininë kuksiane është të mbyllen bastet, dhe nga ana tjetër mbyllja e universiteteve ka qenë përsëri në favor të të rinjve për ti larguar nga farsat dhe maskaradat ku kanë lënë lek njësoj si në baste dhe nuk kanë marrë mbrapsht as dije, as atë që kanë merituar e pritur.
Ndërkohë për sa i përket arsimit profesional, mbyllja e degëve që janë tërëisht jashtë çdo lloj funksioni, nuk do të thotë se nuk do të ketë zëvendësim apo shumëfishim të degëve të arsimit profesional, në rast se për universitetin e mbyllëm dhe nuk do të hapim një të ri, për sa i përktet degëve të arsimit profesional, patjetër që është një mundësi dhe domosdoshmëri që ta stimulojmë”, tha Rama ndër të tjera.
Kryeministri foli edhe për një nga ikjen e shqiptarëve nga vendi, një nga problemet më të mëdha që po përballet Shqipëria. Ai tha se këtë nuk e shikon si ndonjë tragjedi pasi bota është e hapur.
“Ikja e shqiptarëve është në numër të madh, por këtu vijnë shqiptarë nga jashtë. Në fakt ata që ikin janë më të shumtë. Kush ikën është komplet në të drejtën e vet, për të parë mundësi të tjera. Ndryshe nga ata që derdhin lot krokodili, unë hyj tek ata që nuk e shohin fare si tragjedi por është pjesë e historisë jonë kjo gjë. Jetojmë edhe në një botë që është e hapur edhe për ne. Se ku vendos të punojë dhe jetojë është e drejta e tyre.”, u shpreh Rama nga Kukësi.
(B.H/Faxweb)