Deputeti i LSI-së, Luan Rama i është rikthyer sot debatit në lidhje me zhvillimet në Akademinë e Shkencave.
Duke iu referuar vendimit të kryeministrit Rama për ta shkrirë këtë institucion, deputeti i LSI-së shprehet se kjo do të bënte që Shqipëria të mos ishte më qendra e studimeve albanologjike.
”Mbyllja e Akademisë së Shkencave është paravendosur prej qeverisë të paktën dy vjet më parë, qyshse Kuvendi që do të mbahet mend si i vetmi në botë që miratoi një ligj për të dekriminalizuar vetveten, votoi ligjin ” Për arsimin e lartë e kërkimin shkencor në universitete”.
E pata paralajmëruar atë kohë në sallën e Kuvendit, si “një pabesi të madhe ndaj shkencës kombëtare” këtë projekt të qeverisë, si për të parathënë gjithë sa po ndodh aktualisht e që po i serviret publikut si një farsë! Por jo më si farsa e zgjedhjeve që u zhvilluan në Akademi, që në fakt është vetëm njëri prej akteve të zgjedhjeve – farsë që zhvillohen në këtë vend; farsë zgjedhjet politike me vota të vjedhura e të blera, farsë zgjedhjet lokale, farsë zgjedhjet nëpër universitete ku rektorët zgjidhen dekanë e dekanët ish-rektorë ribëhen rektorë, njësoj si në Akademi, farsë zgjedhjet nëpër parti e kështu me rradhë!
Farsa e ashtuquajtur e Akademisë, në fakt është farsë e qeverisë!”, shkruan nder te tjera Luan Rama.
SHKRIMI I LUAN RAMËS:
Pa Akademinë e Shkencave, Shqipëria nuk do të jetë më qendra e studimeve albanologjike!
Mbyllja e Akademisë së Shkencave është paravendosur prej qeverisë të paktën dy vjet më parë, qyshse Kuvendi që do të mbahet mend si i vetmi në botë që miratoi një ligj për të dekriminalizuar vetveten, votoi ligjin ” Për arsimin e lartë e kërkimin shkencor në universitete”.
E pata paralajmëruar atë kohë në sallën e Kuvendit, si “një pabesi të madhe ndaj shkencës kombëtare” këtë projekt të qeverisë, si për të parathënë gjithë sa po ndodh aktualisht e që po i serviret publikut si një farsë! Por jo më si farsa e zgjedhjeve që u zhvilluan në Akademi, që në fakt është vetëm njëri prej akteve të zgjedhjeve – farsë që zhvillohen në këtë vend; farsë zgjedhjet politike me vota të vjedhura e të blera, farsë zgjedhjet lokale, farsë zgjedhjet nëpër universitete ku rektorët zgjidhen dekanë e dekanët ish-rektorë ribëhen rektorë, njësoj si në Akademi, farsë zgjedhjet nëpër parti e kështu me rradhë!
Farsa e ashtuquajtur e Akademisë, në fakt është farsë e qeverisë!
Sepse atë që projektoi me ligjin “Për arsimin e lartë e kërkimin shkencor në universitete” mbi dy vjet më parë, qeveria e ka bërë realitet përpara zgjedhjeve politike që u mbajtën 25 qershorin e këtij viti për tepsinë e timonin. Në një projekt derguar ministrive e institucioneve të varësisë në ditët e para të korrikut, pra menjëherë pas zgjedhjeve, qeveria e ka parashikuar mbylljen e Akademisë së Shkencave! Ndaj i gjithë debati për gjoja reformimin e Akademisë, përfshirë edhe “shpërthimin” inatçor të kryeministrit në mëngjes para, e në drekë pas zgjedhjeve të datës 4 shtator në Akademi, është farsa e vërtetë!
Referuar projektit të qeverisë, ristrukturimi i saj nuk parashikon më as Akademinë e Shkencave dhe as Qendrën e Studimeve Albanologjike, por parashikon krijimin e Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor! Pra do të mbyllet Akademia e Shkencave, do te mbyllet Qendra e Studimeve Albanologjike, do te mbyllen edhe te gjitha institutet e tjerë të kërkimit shkencor!
Thënë shkurt e shqip: zhdukja e Akademisë është projekt qeveritar dhe loja me opinionin është farsa e kryeministrit.
E gjitha kjo nuk ka lidhje as me farsën e zgjedhjeve në Akademi, as me gozhdën e fundit të arkivolit siç u shpreh P. Milo, as me pikën e fundit të ujit të Lindita Nikollit dhe natyrisht as me letrat e hapura për kryeministrin të A. Fugës.
Pa asnjë mëdyshje jam pro idesë së reformimit e riorganizimit të Akademisë së Shkencave e jo vetëm të saj, por të tërësisë së institucioneve të kërkimit shkencor. Jam gjithashtu edhe për një proces të hapur e gjithpërfshirës reformimi, i cili të jetë produkt i debatit e ballafaqimit publik të ideve e projekteve, sepse edhe Akademia e problemet e saj nuk mund të jenë çështje e një rrethi të kufizuar e për me keq të selektuar njerëzish.
Pavarësisht qasjeve të ndryshme edhe ndaj rolit të Akademisë së Shkencave e të ardhmes së saj, debati është i vlefshëm, paçka se paradoksalisht në debatin për Akademinë vetëm akademikët nuk po marrin pjesë! Zgjedhje e tyre, ndonëse në vlerësimin tim jo më e mira! Opinioni ka nevojë të dijë e të njohë cili është qëndrimi i akademikëve e të mos fshihen pas emrit të Akademisë! Sfida e reformimit të Akademisë është padyshim edhe sfidë e tyre, të cilën ata nuk duhet e nuk mund ta sodisin në heshtje!
Eshtë afërmendsh edhe sfidë e qeverisë, e cila nga sa na jep mundësi të mësojmë projekti i sajë, ka zgjedhur rrugën më të shkurtë, pra edhe më të lehtën; që Shqipëria të mos ketë më Akademi të Shkencave.
Thënë më drejtpërdrejtë, Shqipëria nuk do të jetë më qendra e studimeve albanologjike!
Kryeministri është ende në kohë të rikonsiderojë projektin e vet per zhdukjen e Akademisë e të inicojë e udhëheqë vetë ringritjen e saj përmes një procesi gjithpërfshirës e transparent, me njerëz të ditur e vullnetmirë për të ruajtur 45 vite akademizëm kombëtar e për të ndërtuar mbi atë traditë që ka në themel kontributet e paçmuara të Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Androkli Kostallarit, Mahir Domit, Shaban Demirajt, Dhimitër Shuteriqit, Petrit Radovickës, Kolë Popës e shumë të tjerëve si themelues të saj 45 vjet me parë, por edhe e të tjerëve më pas si Dritero Agolli, Ismail Kadare, Petrit Gaçe, Ylli Popa, Stefanaq Pollo, Selaudin Bekteshi, Odhise Paskali, Jorgo Bulo, Farudin Hoxha, Rexhep Meidani, Skender Gjinushi, Besim Elezi, Rexhep Qosja, Idriz Ajeti, Ferid Murati, Matteo Mandalà, Francesco Altimari, Titos Jochalis e shumë e shumë të tjerëve, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë europiane.
Sot nuk është as mençuri e as forcë të thuash “nuk të jap paratë” a thua se i ke te xhepit tënd apo të “nxjerr nga godina” e cila në fakt është pronë private!
Aq më tepër e thënë kjo përmes një gjuhe ultimatumi e kercënimesh, e padenjë për komunikimin me cilindo e jo më me një institucin shkencor dhe me akademikët e vendit, e denjë për çifligarët turkoshakë të mesjetës!
Forcë e demonstrim lidershipi është të inicosh e udhëheqësh me guxim e mençuri, me urtësi e largpamësi një proces reformues e jetësimi të Akademisë së Shkencave, në funksion të tërësisë së reformave zhvillimore e integruese të vendit, me cak mbërritës anëtarësimin në Bashkimin Europian, ku do të duhej që Akademia e Shkencave të gjendej në krye të punëve për hartimin e platformave e projekteve të mëdha kombëtare.