Opozita duket se ka vendosur që gjatë ditës së sotme të qëndrojë larg dhunës, ndërsa në disa zona kanë nisur marshimet e mbështetësve të tyre.
Në njësinë numër 8 në Tiranë, mbështetësit e opozitës kanë gjetur një ide gjeniale, teksa kanë vendosur të protestojnë me muzikë popullore në fond, duke risjellë në vëmendje zgjedhjet në kohën e komunizmit.
Thirrjet e qytetarëve kanë qenë të shumta: Enver Hoxha, parti shtet, apo brohoritje sa herë që votues hynin brenda qendrës së votimit.
Në zgjedhjet që mbahen sot, për herë të parë pa opozitën dhe në një klimë tensionesh, kanë të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.
Kujtojmë se këto zgjedhje janë të paprecedenta, ku në 31 bashki janë me një kandidat të vetëm. Prej 6 muajsh opozita që ka djegur dhe mandatet ka protestuar vazhdimisht, dhe ka tentuar që të pengojë proceset zgjedhore, veçanërisht në Bashkitë që janë drejtuar nga përfaqësuesit e saj.
E megjithatë mbrëmjen e djeshme Lulzim Basha iu bëri thirrje të gjithë mbështetësve të tij që të distancoheshin nga dhuna, dhe të denonconin çdo rast shkeljesh. Duket se kali i betejës i opozitës do të jetë pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, për të legjitimuar kauzën e saj.
(E.K/Faxweb.al)