Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një prononcim për gazetarët, pas takimit të zhvilluar me aleatët dhe Metën, deklaroi se presidenti e informoi në lidhje me faktet tronditëse dhe përfshirjen e maxhorancës në kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Basha u shpreh se rrotacioni është i pashmangshëm, dhe nuk ka forcë mbi këtë tokë që do ta ndalë.
“Presidenti i Republikës me ka njohur me të tjera fakte dhe prova tronditëse për përfshirjen e maxhorancës në kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Edi Rama do të kapë Gjykatën Kushtetuese që të mbrojë kriminelët. Ky është një grusht i pastër kriminal. Nuk bëhet me ushtri dhe me tanke, por bëhet me shërbetor. Kur bie kushteuta çdo kush është i rrezikuar. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme sa më parë, të cilat arrihen duke u dhënë shqiptarëve mekanizmin që këtë zgjedhje të mos vidhen më.
Për ne ky parlament është shpërndar. Çdo ligj i ndërmarrë nga ky parlament është nul. Tani ne jemi të orientuar nga zgjidhja. Ndryshimi është i pashmangshëm. Gjithë beteja është që ta fusë në labirinte që ta zgjasë. Nuk do të ketë forcë ta ndalë ardhjen në pushtet. Krimi është më i fortë se kurrë.
Po ua them qartë dhe prerë, ne do të vijojmë bashkë bisedimin me qytetarët, unë do ti dëgjoja ata. Nuk ka forcë mbi këtë dhe që të ndalë rrotacionin. Edi Rama i ka bërë llogaritë gabim. Për hir të vendit, kjo duhet të vijë pa kosto për shqiptarët.”- u shpreh Basha.
Pyetje: Zoti Basha keni zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me Presidentin e Republikës, ndërsa tani mblodhët në selinë e PD, aleatët tuaj. Çfarë diskutuat?
Lulzim Basha: Presidenti i Republikës më ka njohur me të tjera fakte dhe prova tronditëse të përfshirjes së zyrtarëve të lartë të maxhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. E kemi thënë, dua ta përsëris, kapja e Gjykatës Kushtetuese është objektiv i Edi Ramës. Edi Ramës i duhet Gjykata Kushtetuese për të mbrojtur dhe liruar kriminelët, me të cilët ka marrë pushtetin. I duhet Gjykata Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm që është produkt i bashkëpunimit të tij me krimin dhe është investuar në mënyrë të hapur dhe kriminale për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Ky është, ashtu siç e cilëson edhe Presidenti i Republikës një grusht i pastër institucional, një grusht i pastër institucional shteti. Nuk bëhet me të vërtetë me ushtri dhe me tanke, por bëhet me shërbëtor të bindur të qeverisë në organet e reja të drejtësisë. Ndaj, ne kemi diskutuar gjerësisht për këtë dhe për të tjera hapa të maxhorancës në shkelje të Kushtetutës, të cilat bëhen për të rrezikuar të drejtat elementare të qytetarëve shqiptarë dhe për të favorizuar krimin dhe kriminelët. Dhe dua t’ju them se ne kemi një papajtueshmëri të plotë me këtë zhvillim dhe do të marrim çdo vendim si opozitë, duke i bërë thirrje çdo qytetari, përtej bindjeve politike, që hapa të tillë që shkatërrojnë themelin e demokracisë, Kushtetutën, të ndeshen me bashkimin më të madh qytetar dhe me rezistencën më të madhe qytetare. Kur bie Kushtetuta, bie garancia elementare, çdokush është i rrezikuar, çdo prind, çdo fëmijë, i punësuar në administratë apo në sektorin privat, student apo pensionist, të drejtat e tyre janë të rrezikuara.
Dua të shtoj se ky nuk është një zhvillim surprizë. Ky zhvillim vjen në gërmadhat e një demokracie të asgjesuar në një vend pa parlament, me një parlament ilegjitim, në një vend pa pushtet vendor. Prandaj, dua të konfirmoj vendosmërinë tonë për të ndjekur pikë për pikë udhërrëfyesin e Europës, udhërrëfyesin gjerman për daljen nga kriza, me zgjedhje të lira dhe të ndershme sa më parë, të cilat mund të arrihen duke përfunduar reformën zgjedhore dhe duke iu dhënë shqiptarëve besimin dhe mekanizmin se këto zgjedhje të lira dhe të ndershme do të garantojnë që problemet që e kanë sjellë vendin deri këtu, të mos manifestohen më.
Pyetje: Zoti Basha, ju thatë që qytetarët duhet të refuzojnë shkeljen e Kushtetutës. Nga ana tjetër edhe institucioni i presidentit sot foli për shpërndarje të parlamentit. Mund të na thoni çfarë po u kërkoni qytetarëve? Të dalin, të bashkohen, po i thërrisni në protestë, sepse keni një pikë bashkimi me Presidentin dhe jo vetëm tek grushti i shtetit?
Lulzim Basha: Shikoni, për ne ky parlament është shpërndarë. Më 18 shkurt të vitit 2019 për ne ky parlament është shpërndarë, nuk ekziston më. Dua ta them fare qartë. Çdo ligj i këtij parlamenti i ndërmarrë nga një maxhorancë ilegjitime dhe në mungesë të një Gjykate Kushtetuese për ne është nul dhe void, është i pavlefshëm. Tani ne jemi të orientuar nga zgjidhja. Njerëzit presin zgjidhje dhe kjo zgjidhje nuk mund të jetë thjesht kalkulim i partisë sime apo i koalicionit opozitar, sepse mendoj se të gjithë e kanë të qartë. Ndryshimi është i pashmangshëm. Rotacioni është i pashmangshëm.
Gjithë beteja e oligarkisë, kriminelëve dhe Edi Ramës, është ta fusë rrugën drejt rotacionit të pashmangshëm në labirinte që ta zgjasin ose mundësisht ta shmangin. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Nuk do të ketë forcë mbi tokë ta ndalë rotacionin, ta ndalë ardhjen në pushtet të opozitës së bashkuar me votën e qytetarëve. Natyrisht, që detyra jonë është që të angazhojmë të gjithë qytetarët për këtë ndryshim. Për këtë arsye po veprojmë në disa rrafshe: rrafshi i pare, që ju e keni parë, është të jemi me ta, t’i dëgjojmë drejtpërdrejtë. Sepse mbi bazën e një shkëmbimi të tillë do të kemi dhe propozimet tona për daljen nga kriza, e cila sot ka rrezikuar bukën e mbi 50 përqind të shqiptarëve. 1 në 2 shqiptarë është sot nën kërcënimin e urisë kronike, pra nuk ka mjaftueshëm para për të blerë bukën e gojës. Në të tjera rrafshe, si është shëndetësia, arsimi, tashmë dhe siguria publike që është përtokë, sepse ditë për ditë ka atentate mafioze. Sepse krimi është më i fortë se kurrë, për arsyen e thjeshtë, sepse krye-KÇK është Edi Rama me qeverinë e tij. Dhe natyrisht, të shtyjmë përpara procesin për të cilin kemi një bashkëpunim dhe një bashkërendim me partnerët tanë perëndimorë. 9 pikat e Bundestagut janë të panegociueshme. Të panegociueshme nga BE, të mbështetura nga SHBA. Ka një opozitë të bashkuar që padyshim sot është maxhoranca morale, e cila po shtyn në realizimin e këtyre pikave, edhe për të hapur rrugën europiane të Shqipërisë, edhe për t’i dhënë fund krizës politike, edhe për t’i dhënë fund krizës ekonomike. Dhe këtu ne nuk do të lejojmë asnjë forcë, sado e motivuar të jetë, siç është i motivuar krimi i organizuar që do të ruajë privilegjet, do të ruajë qindra milion euro të trafiqeve të drogës. Siç janë të motivuar oligarkët, një grusht njerëzish të cilët po e vjedhin këtë vend. Dhe siç është i motivuar ai që i ka sjellë këta në sofrën, në tepsinë e pushtetit, kreu i qeverisë dhe qeveria e tij. Kjo është sot kontradita: A do jetë Shqipëria e tre milion shqiptarëve apo 2 milion e gjysmë sa kemi mbetur pas eksodit që ka shkaktuar Edi Rama, apo Shqipëria e 12 oligarkëve, hajdutëve dhe Edi Ramës?
Po jua them qartë dhe prerë: ne do të vazhdojmë bashkëbisedimin me qytetarët. Unë do të vazhdoj t’i dëgjoj ata dhe pas kësaj do të shpalosim ofertën tonë. Ne do të bëjmë gjithçka të garantojmë një proces zgjedhor përmes një reforme zgjedhore, për të cilën jemi tërësisht të angazhuar, por nuk ka forcë mbi këtë dhe që do të ndalë rotacionin.
Edi Rama i ka bërë hesapet gabim. Ia kam thënë para një muaji, po ia përsëris: nuk ka forcë mbi tokë ta ndalë rotacionin.
Unë mbetem i përkushtuar që procesin ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, për hir të stabilitetit, për hir të këtyre familjarëve, fëmijëve të tyre, duhet që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët. Boll kanë paguar kosto, 30 vjet kosto rotacion pas rotacioni. Do të bëj gjithçka që kjo të vijë me koston më të vogël për shqiptarët. Por bashkimi ynë do të jetë i madh. Do të jetë i pandalshëm. Do t’i tregojë vendin secilit prej asaj duzine të qelbur hajdutësh dhe kriminelësh, që mendojnë se me makinacione dhe me paratë e krimit do të ndalin rotacionin. Rotacioni është i pashmangshëm.