E shtuna e 13 majit të vitit 2000 mbahet mend mirë nga gazetarët e kronikës së zezë, por edhe vetë Policinë, pasi dy ngjarje të rënda ishin kryelajmi i asaj dite. Vrasja e Ardian Çobos, ish-presidentit të Klubit të Futbollit të “Tomorrit” dhe gjetja e trupit të pajetë të Erieta Avdylit, e zhdukur prej një muaji.
Por, ngjarja më e rëndë padyshim ishte ajo e ekzekutimit mafioz të Ardian Çobos dhe bashkë me të edhe të arbitrit Luan Zylfo, pak pas përfundimit të një ndeshjeje në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë.
Por, sot njësia e kontrollit të pasurive që dyshohet se janë vënë përmes aktivitetit kriminal ka vënë në shënjestër, vëllain e Ardianit, Edison Çobon. Ardian Çobo, ish-president i klubit të futbollit të Tomorit të Beratit u ekzekutua nga Adlin Goxha në vitin 2000, pak minuta pasi kishte përfunduar ndeshja Partizani-Tomori, e vlefshme për kampionatin kombëtar të atij viti.
Ardian Çobo dhe arbitri Zylfo, së bashku me të tjerë ishin ulur në kafene, ndërsa autori u afrua tek tavolina dhe qëlloi me breshëri automatiku, duke lënë të pajetë në vend Çobon dhe Zylfon. Autorët u larguan dhe nuk u arrestuan asnjëherë, duke e futur edhe këtë krim në listën e gjatë të atyre që kanë mbetur pa autorë.
Por, tashmë Edison Çobo duhet të përballet me drejtësinë sërish për të justifikuar pasurinë që ka vendosur në vite dhe që dyshohet se është bërë me aktivitet të paligjshëm të trafikut të drogës.
Ccobo është pronar i një karburanti në Berat, dhe i implikuar në disa ngjarje të rënda në qytet, për të cilat vuan dënimin në burgun 313 në Tiranë.
Kush ishte Ardian Çobo?
Ardian Çobo ishte president i klubit Tomori, shumë pasionant, dashamirës futbolli, i pari që e afroi aq shumë skuadrën beratase në fitimin e titullit kampion, çka nuk ishte shënuar në gjithë historinë e klubit.
I angazhuar për t’i dhënë qytetit trofeun e parë, deri në çastin e fundit tentoi, pa kursyer asgjë, por për fatin e tij të keq nuk mundi ta realizonte. Shumë i ri në moshë, la pas familjen, miq e shokë. Pas ndarjes së papritur nga jeta të Çobos, edhe fati i skuadrës pësoi rënie, madje prej vitesh luan në kategoritë inferiore, larg elitës së futbollit shqiptar, ku tentoi dhe kërkoi ta mbante Ardian Çobo.