Nga Fatos Lubonja* –
Kur mora vesh lajmin e shkarkimit të gazetarit Armand Shkullaku (drejtor i “ABC News”) dhe të mbylljes së kontratës së Alfred Lelës (drejtor i gazetës “Mapo”) për “mosndjekje të politikave editoriale të pronarit” e kapa veten gafil duke menduar: a përbën ky një lajm, për të cilin duhet të ulem të shkruaj, apo jemi në rutinën e rëndomtë të gjërave në mediet tona, për çka kam shkruar dhe rishkruar aq sa s’ka më kuptim fjala?
Pas disa ditësh, duke ndjekur edhe komentet e shumta, vendosa të shkruaj edhe për t’iu kundërvënë kësaj plogështie të vullnetit, por mbi të gjitha pasi më duket se fenomeni “i rëndomtë” po manifestohet në një kontekst të ri, me agresivitet të ri.
FENOMENI I RËNDOMTË
Të gjithë ne që njohim sektorin, madje edhe vetë pronarët, nuk e kemi të vështirë të imagjinojmë bisedën e kryer apo të nënkuptuar të pronarëve me drejtorët e tyre miq apo ish-miq, apo pseudomiq: “Shiko, unë këtë media e kam hap për hallet e mia. Por po vazhdoi kështu, unë s’paguaj dot as rrogat, se ju e dini se si funksionon këtu. Po s’e pata mirë me këta, unë nuk zgjidh dot as hallet e mia, as nxjerr dot rrogat tuaja. Prandaj, nëse doni t’i bini burimit të lekëve, gjeni vend tjetër.”
Sigurisht ky mund të jetë dialogu në këtë rast të veçantë, pasi rëndom kjo bisedë nuk zhvillohet, pasi “politikat editoriale” për të zgjidhur “hallet” e pronarit, – që do të thotë për të marrë ndonjë leje ndërtimi, ndonjë tender apo hequr qafe ndonjë media rivale, – janë bërë në harmoni të plotë pronar-drejtor. Kjo ngjarje bën lajm, pasi është një thyerje që prish rendin e gjërave në mediet tona. Është një përjashtim pra, që, siç thuhet, përforcon rregullin. Por, si i tillë na vlen për të shtruar pyetjen: si është e mundur që kemi arritur në këtë pikë sa të na duket “rregull” që pronarët e medieve tona të pasurohen nëpërmjet një gazetarie që punon në të kundërt të parimeve që përcaktojnë se si duhet të punojë një media në demokraci dhe treg të lirë? Sepse, po të ishte një biznes tjetër, si p.sh. biznes prodhimi marmelate, kjo do të ishte sikur produkti të dilte gjithnjë e më mut dhe megjithatë, në vend se të falimentonte, pronari të pasurohej. Mirëpo, ja që kjo po ndodh? Po pse? Sepse dikush ia ble mutin, ngaqë i duhet për t’ia dhënë ta hajë mileti si dhe për të lyer kundërshtarët. Dhe që të realizojë këtë i duhet, mundësisht, që në treg të ekzistojë vetëm ky lloj malli edhe ky lloj prodhuesi. Dhe kështu ka ardhur ky moment kur njerëzit nuk e ndiejnë më erën e tij të keqe, aq sa nuk shtrojnë më disa pyetje elementare që, mesa kujtoj, kur lindën mediet private rreth 15-20 vjet më parë, kanë qenë në rend të ditës.
Janë pyetje të tilla si: Ore, ç’kuptim ka kjo “e shkarkoi pronari”? Po a kemi parë ndonjë media në botën demokratike që të mos ketë filtër midis pronarit dhe gazetarëve, që do të thotë borde që bëjnë politika editorale? A ka kund raste që një pronar të deklarojë publikisht, pa i bërë syri tërr, se politikat editoriale i bën ai vetë? A kemi parë e dëgjuar kund që universitetet private të kenë gazeta të përditshme e televizione që bëjnë politikë? Po si ka mundësi që e harruam fare konfliktin e interesave të pronarëve të medieve, për të cilin është folur aq shumë dhjetë vjet më parë? Si ka mundësi që lejojmë që dy mediet private kombëtare i kemi thjesht e vetëm biznese familjare të lidhura me qeverinë? Si ka mundësi që askush nuk kujtohet më t’u thotë këtyre se frekuencat kombëtare janë pronë publike, jo private, dhe nuk u janë dhënë për t’i keqpërdorur duke disinformuar e deformuar publikun, por për ta informuar sa më drejt atë.
Nuk ia vlen të zgjatem më me këto pyetje muti që janë bërë mullar prej kohësh. Le të shohim më mirë se çfarë po ndodh me mullarin në këto ditë të ftohta dimri.
AGRESIVITETI I RI
Gjykoj se dekompozimi erëkeq i mullarit ka hyrë në një fazë të re. Kjo fazë ka një anë pozitive dhe një tjetër shumë negative. Ana pozitive ka të bëjë me lindjen e portaleve online që, sadokudo, sjellin ajër të ri që ndikon që receptorët e hundëve të qytetarëve të mos bukosen krejtësisht, por të arrijnë të ndiejnë erën e keqe. Gjithnjë e më shumë portalet po shërbejnë tashmë si pika referimi për një pjesë gjithnjë e më të madhe qytetarësh, për të kuptuar degjenerimin e medieve tradicionale.
Por kjo anë pozitive është një ngushëllim i vogël përpara të keqes së madhe që po ndodh, duke marrë parasysh se shumica e shqiptarëve ushqehen ende kryesisht me mullarin.
Vini re: si asnjëherë tjetër, që kur kanë lindur mediet private, po jetojmë një situatë mediatike ku thuajse të gjithë pronarët kanë vendosur të bëjnë politika editoriale pro qeverisë. Ç’do të thotë kjo? Le ta analizojmë fenomenin pak më thellë. Disa i quajnë mediet tona private si shprehje e zhvillimit të kapitalizmit liberal. Mirëpo, ajo çka shohim, është bash e kundërta e tregut të lirë. Sepse ky bazohet mbi larminë e produkteve, larminë e konsumatorëve dhe shijeve, si dhe konkurrencën me produktin më të mirë dhe më të lirë. Kurse mediet tona na del se duan të prodhojnë të gjitha një mall të vetëm: politika editoriale pro qeverisë, dhe, ç’është më e keqja, duke larguar profesionistë dhe duke i zëvendësuar ata me lakej apo deri me familjarë. Po ashtu, kjo vënie e medieve në shërbim të qeverisë bie ndesh me një parim themelor të liberalizmit: atë të pronës private si garant të mbrojtjes së lirisë së individit ndaj rrezikut që paraqet shteti kur mbijetesa e qytetarit varet vetëm prej tij. Sipas këtij parimi, edhe bizneset, edhe mediet private duhet të ishin mbrojtëse të lirisë, veçanërisht në vende me të kaluar apo prirje autoritare. Kurse këtu po bëhen të gjitha me qeverinë.
Nuk do shumë mend për të kuptuar se sistemi që kemi ngritur, sa më shumë kalon koha, aq më shumë po merr tiparet e atit që e ka pjellë: regjimit të djeshëm, që ishte kapitalizëm shtetëror (jo liberal), ku një tufë banditësh, duke vendosur monopolin e ekonomisë, medias dhe politikës, u sollën si pronarë të vendit, duke e vënë gjithë popullin të punonte si argat për të. Në regjimin e sotëm, në thelb, po ndodh e njëjta gjë me trajtimin e pasurive të vendit dhe të njerëzve, ndryshimet në egërsi, në metoda shfrytëzimi apo faktit se nomenklatura dje i kishte vilat shtetërore, kurse kjo e sotmja i ka private janë dytësore përpara thelbit të ngjashmërisë. Edhe synimi për t’u dhënë të gjithë konsumatorëve të njëjtin mall mediatik rilindës mban erën e trushpëlarjes së atij regjimi, ashtu sikurse edhe zëvendësimi i politikës me propagandë.
Siç e kam shprehur në një shkrim të paradokohshëm, me rilindësit kemi hyrë në fazën kur “pluralizmi oligarkik”, që shërbente si maskë demokratike e sistemit, po degjeneron në fashizmin ekonomik. Me këtë kuptoj grumbullimin e të gjithë oligarkëve rreth një partie të vetme, që në vendimmarrje s’pyesim më as për opozitë dhe as për interesa të tjera, përveç atyre të vetave dhe që si mjet kryesor sundimi kanë kontrollin e bukës së gojës së njerëzve. Ajo që po ndodh me mediet tradicionale të oligarkëve është prova më eksplicite e kësaj.
Pse po ndodh kjo dhe jo e kundërta, kalimi në më shumë demokraci? Është e gabuar të mendosh se kjo vjen thjesht nga ndryshimi midis Ramës dhe Berishës, me idenë se ky i dyti, po na del sot si më i hapur për të bashkëjetuar me mediet kundërshtare sesa i pari. Arsyet e kalojnë kulturën dhe sëmundjen e liderit narcizist të PS-së, që kërkon të thyejë edhe më të voglën pasqyrë që nuk ia nxjerr surratin ashtu siç e trukon ai. Kjo nuk do të mund të bëhej kurrsesi faktor po të mos kombinohej me një sërë faktorësh të tjerë. Kombinohet me faktin se jo vetëm fytyra e Ramës, por edhe fytyra e qeverisjes së tij ka gjithnjë e më shumë nevojë për trukim për të mbuluar dështimin. Kombinohet edhe me krizën ekonomike që ka shtuar rivalitetin midis oligarkëve dhe ka bërë që peshqit e mëdhenj pranë qeverisë të hanë ata më të vegjlit. Kombinohet edhe me faktin se kjo krizë ka bërë të zhvillohet gjithnjë e më shumë ekonomia kriminale, e cila, për të lulëzuar, ka nevojë për bashkëpunim me pushtetin. Kombinohet po ashtu me faktin se populli tashmë e ka mësuar përmendësh këngën e opozitave që, sapo vijnë në pushtet, punojnë për të njëjtët oligarkë, pasi janë pjesë e sistemit, dhe sillet ftohtë ndaj saj, duke i bërë oligarkët të mos kenë frikë nga rotacioni që i shtynte të paguanin të dyja palët. Por, mbi të gjitha, kombinohet edhe me një faktor, që mua më rezulton më dramatiku: ulja gjithnjë e më poshtë e nivelit arsimor dhe kulturor të njerëzve në përgjithësi, që i bën të mos kenë zgjedhje dhe mendim të pavarur, por t’i nënshtrohen më të fortit e më të pasurit për një kothere.
Në këto kushte është e lehtë t’i bësh mediet të funksionojnë si organet e shtypit në kohën e komunizmit, kur edhe “Zëri i Popullit”, edhe “Bashkimi”, edhe “Zëri i Rinisë”, edhe TVSH-ja bënin të gjitha politikën editoriale të partisë-shtet.
A mund të zgjasë shumë kjo gjendje dhe a mund të shkojmë edhe më keq? Gjykoj se katër vjet të tjera me këta banditë injorantë dhe të papërgjegjshëm në drejtim të politikës, ekonomisë dhe medieve të vendit janë të paparashikueshme për sa i përket shkallës se ku mund të arrijë fashizmi ekonomik i tyre. Nuk e di sa mund të zgjasë kjo. Por e sigurt është se sa më shumë të zgjasë, aq më shumë dëme do të bëjë, aq më me turp do të përfundojë dhe aq më e vështirë do të jetë kthesa për mirë.
*Marrë nga një e përditshme