Mjekët ligjorë kanë nxjerrë ekspertizën paraprake për vdekjen e punonjësit të gardës, njëherazi edhe shofer i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke konfirmuar se ka kryer vetëvrasje.
Burime pranë mjekësisë ligjore pohuan për “Fax News” se ekspertët e kriminalistikës, pasi kanë analizuar provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri, në dorën e djathtë të 31 vjeçarit Shkelzen Qordja.
Sipas ekspertëve, vdekja ka ardhur nga një plumb në anën e djathtë të kokës në lobin temporal dhe se në duart e viktimës janë gjetur mbetje baruti.
Po sipas tyre, edhe gjurmët e gishtave të gjetura në armën tip automatike “MP5”, përputhen plotësisht me ato të 31 vjeçarit. Grupi hetimor është duke kqyrur edhe kamerat e sigurisë së Gardës së Republikës, për të verifikuar orën e saktë kur gardisi është futur brenda këtyre ambienteve.
Ndërkaq, në pyetje janë marrë edhe familjarët dhe të afërmit e të riut, të cilët kanë pohuar se nuk kanë parë ndonjë sjellje të dyshimtë tek ai. 31-vjeçari Shkëlzen Qordja u gjet i pajetë nga kolegët e tij brenda në makinë në garazhin e Gardës së Republikës./FAXWEB.AL