Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka folur për zgjedhjet e qershorit.
Meta shprehet se të vetmet zgjedhje të ligjshme janë ato të 13 tetorit, dhe se dekreti i tij mund të kundërshtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe kurrësesi nga Kryeministri.
“Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy fraksioneve politike do të kishte qenë e pashmangshme. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm gjykata kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit dhe është për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës. Për të kuptuar parregullsinë, ju them se në 61 bashkitë në të cilat u votua fituan socialistët sepse nuk kishin kundërshtar përballë si gjatë regjimit komunist.
Ndërsa për denoncimet e bëra ndaj ndikimit që George Soros ka në Shqipëri, presidenti ka thënë se duhet të mbrojmë interesat tona dhe se nuk duhet të përfundojmë në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë
“Ne jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të kujdesshëm në një epokë globalizimi si ajo e tanishmja për të ruajtur vlerat që janë në bazë të Shqipërisë duke filluar nga identiteti ynë. Ne duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Unë nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë.”
I pyetur për përgjimet e nxjerra nga gazeta gjermane “Bild” para disa muajsh, Meta është shprehur:
“Ishtë e papranueshme që vitet e fundit nuk janë bërë hetime të thella për këto ngjarje, është një nga rastet më të rënda të funksionimit të shtetit të së drejtës, zgjedhjet e rregullta janë zgjidhja e këtyre problemeve.
Ne gjithashtu kemi nevojë për masa më të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që rrjedhin nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri në krahasim me fuqinë e ekonomisë sonë në krahasim me kombet më të mëdha si Italia apo Gjermania”.
Discussion about this post