Ka nisur konferenca e presidentit Meta, po ku argumenton vendimin e tij për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale që ishin planifikuar që të mbaheshin në datën 30 Qershor.
Meta u shpreh se presidenti është i vetmi organ kushtetues që mund të vendosë për datën e zgjedhjeve qoftë lokale, qoftë ato qendrore, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë dhe pretendimeve të kryeministrit Rama.
Presidenti theksoi se ai kishte grumbulluar të dhëna se në rast se në 30 Qershor do të mbaheshin votime, vendi mund të shkonte drejt një konflikti civil me pasoja shumë të rënda për vendin.
Meta tha më tej se në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në 30 Qershor, pa opozitën, atëherë vendi do të kthehej në një regjim diktatorial, ku qytetarët do të detyroheshin që të përballeshin me njëri-tjetrin.
Presidenti komentoi më tej dhe protestat e opozitës, duke thënë se në disa raste ka pasur tejkalim të kompetencave nga ana e policisë, duke u përgjigjur në mënyrë jo propocioonale.
“Sipas nenit 92 të Kushtetutës, presidenti është i vetmi organ kushtetues që mund të caktojë datën e zgjedhjeve, për organet e pushtetit vendor. Sipas Kushtetutës pa patur një datë nga presidenti zgjedhjet nuk mund të bëhen. Data 30 Qershor është vendosur nga ana e presidentit që në muajin Nëntor të vitit 2018, në një kohë kur klima politike ishte e qetë.
Presidenti ka ndjekur në vijimësi shprehjen e vullnetit të forcave politike për të qenë pjesë e këtij procesi. Partitë politike nuk janë regjistruar në zgjedhje duke prezantuar edhe shkaqet që sipas tyre kanë të bëjnë me faktin që nuk garantohen zgjedhje të lira. ky vendim ka pasuar me djegien e mandateve duke bërë që edhe jeta parlamentare të kalojë në krizë. Vendi nuk ka krizë kushtetuese dhe Gjykata e Lartë ka dalë jashtë funksionit duke sjellë mos balancimin pushteteve.
Përpos thirrjeve dhe mesazheve të presidentit dhe të miqve tanë ndërkombëtarë, për fat të keq palët nuk kanë reflektuar, me mazhorancën që nuk ka marrë asnjë hap për të bërë një dialog me palën tjetër. Nga ana tjetër dhe opozita shprehet e vendosur se do të pamundësojë zgjedhjet përmes mjeteve të panjohura. Si president evidentoj se vendi mund të shkojë drejt një konflikti të paparashikuar, e konsideroj këtë si një rrezik serioz për stabilitetin e vendit.
Është detyrë në radhë të parë e qeverisë që e drejta për të zgjedhur t’iu garantohet të gjithë shqiptarëve. Presidenti i Republikës ka vendosur që të ushtrojë kompetencën e tij për garantimin e rendit publik , dhe për tiu garantuar qytetarëve të drejtën për t’u zgjedhur.”, u shpreh Meta.
Ndërkohë që presidenti u shpreh se partitë e opozitës, nuk janë shprehur se nuk duan që të marrin pjesë në zgjedhje, po kërkojnë që të garantohen kushtet e drejta në garë.
“Partitë e opozitës nuk kanë shprehur dëshirën për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por kanë ngritur shqetësimin se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të jenë të lira. Ato janë të gatshme të marrin pjesë në zgjedhjet, por vetëm nëse qytetarët të jenë të lirë për të votuara”, u shpreh Meta.
(E.K/Faxweb.al)