Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një tryezë të organizuar për bujqësinë, u shpreh se me programin e PL për këtë sektor, synohet të goditet shpopullimi, të cilin e quajti një axhendë e qëllimshme e qeverisë. Presidenti i PL tha se synimi i tij është që Shqipëria të mos jetë nën qeverisjen globale, por shqiptarët të qeverisen nga vullneti i tyre.
“Rama ka bërë një zgjedhje, ideologjike e politike, ka zgjedhur që Shqipërinë e shqiptarët t’i vendosë nën qeverisjen globale. Ne mendojmë se duhet të qeverisen nga vullneti i tyre për të qenë krenar për atë që jemi e për të ruajtur Shqipërinë edhe për shekujt që vijnë sepse globalizmi është vdekjeprurës për popujt që nuk mbrojnë rrënjët e tyre. Përmes programit tonë i japim një goditje shpopullimit, axhendës së qëllimshme të Rilindjes që ka falimentuar këtë sektor jetik për vendin. Shtyllë e shpopullimit është braktisja e fshatit dhe bujqësisë e blegtorisë. Që në vitin e parë buxheti do të jetë 30 mln, do të heqim zgjedhën tatimore. Fondet e IPARD përfunduan tek inceneratori që tregon armiqësinë e theksuar të Rilindjes me bujqësinë. Nuk mund të krenohet Qeveria me ca bujtina në Kolonjë, kur në Kolonjë “Rilindja” i ka dëbuar kolonjarët. Fermerët në Kolonjë, në Korçë dhe në mbarë vendin po hedhin produktet në kanal, po sharrojnë drurët frutore, po mbyllin fermat e po largohen nga Shqipëria për shkak të mos mbështetjes nga Qeveria që i ka braktisur bujqit dhe fermerët. Të shkojmë tek çdo shqiptar që nuk do ta lërë vendin e tij apo të do të kthehet, u shpjegojmë në terren programin tonë për bujqësinë. Jemi një vend me potencial të jashtëzakonshëm në këtë drejtim”, tha ai.