Ne udhëtuam përgjatë bregdetit gjarpërues shqiptar, nëpër kodra të pyllëzuara – pothuajse të eklipsuara nga qendrat tregtare të shndritshme dhe blloqet e apartamenteve – për pesë orë me makinë deri në Sarandë, një qytet turistik – i cili në videot e TikTok është konsideruar si ‘Maldivet e Evropës’, shkruan Alice Murphy në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Metro”.
Por – ndërsa i afrohemi kësaj copëze të famshme të parajsës, ndërtesat bëhen më të shpeshta – duke u formuar si kërpudha – në një grup hotelesh shumëkatëshe në bregun e gjirit në formë patkoi të Sarandës. Pasi vizitova së fundmi Maldivet, mund të konfirmoj se bregdeti jugor i Shqipërisë krenohet me pamjen e ngjashme të oqeanit blu të ndritshëm.
Por, çfarë do të thotë një rritje e papritur e popullaritetit për Shqipërinë dhe vizitorët e saj?
Si mund të mbrohet bukuria e saj natyrore nga plaga e turizmit masiv?
Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë për të shmangur turmat
Ashtu si shumë destinacione të Evropës Jugore, ekspertët e udhëtimeve thonë se koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është në fund të pranverës (prill dhe maj) dhe në fillim të vjeshtës (shtator dhe tetor). Moti është i ngrohtë dhe i këndshëm, por pa turma vizitorësh krahasuar me pikun e sezonit të verës. Dhe ndërsa jeni atje, ia vlen një udhëtim në këto vende më pak të njohura:
Kepi i Rodonit: Një gadishull shkëmbor pak më shumë se një orë larg me makinë nga Tirana – ku mund të shikoni detin dhe të shijoni natyrën e pacënuar të Shqipërisë.
Lini: Thuhet se është fshati më i vjetër i banuar i Evropës. Ju do ta gjeni këtë vendbanim historik në liqenin e Ohrit.
Plazhi i Ranës së Hedhun: Një shtrirje mahnitëse në veri të Shqipërisë që e zbulova vetëm pasi u ktheva. Turistët që mbërritën në këtë plazh të qetë thonë se ka rërë të pastër dhe duna spektakolare.
Gjirokastra: Një qytet i vjetër i gurtë – që tashmë është cilësuar si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Mendoni për rrugicat e pjerrëta, gjarpëruese dhe një kala përrallore.
Liqeni i Bovillës: Kjo perlë e fshehur furnizon pjesën më të madhe të ujit të pijshëm të Tiranës, si dhe ofron pamje spektakolare të ujërave bruz.
Një thikë me dy presa
Eksperti i udhëtimeve, Nausheen Farishta tha se bumi i turizmit në Shqipëri është një thikë me dy presa.
“Nga njëra anë, ai sjell mundësi të nevojshme për komunitetet lokale. Por – ne nuk mund të mbyllim një sy ndaj sfidave që vijnë me këtë rritje të shpejtë”, tha themeluesi i “Globe Gazers”.
Është një pikë kthese e jashtëzakonshme për një vend që dikur ishte një nga vendet më të izoluara të Evropës; një vend që hapi dyert për vizitorët e huaj – kur komunizmi ra pas katër dekadash diktaturë – në 1991.
Një parajsë e përballueshme
Ishim në një udhëtim vajzash, të joshura nga historia magjepsëse dhe videot virale të ujërave bruz dhe rërës së bardhë të pacenuar.
Një mori faqesh në internet për udhëtime na dhanë arsye të mjaftueshme për të rezervuar pushimet në vendin e Evropës Jugore që kufizohet me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë; me një vijë bregdetare prej rreth 400 kilometrash të mbushur me plazhe të bukura; vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, mikpritje të ngrohtë dhe mot me diell.
Si shumë vizitorë të tjerë, ne u tërhoqëm nga çmimi. Apartamentet buzë plazhit në qytetet turistike të njohura mund të merren me qira për më pak se 25 euro për një natë – dhe nuk është e pazakontë të gjesh një vakt të plotë me pije (oktapod dhe mohito) për rreth 20 euro.
Fluturimet janë gjithashtu jashtëzakonisht të përballueshme, me Wizz Air që ofron tarifa nga Londra në Tiranë duke nisur nga 68 euro vetëm vajtje.
Shqipëria ka atraksione të shumta turistike. Ishte emocionuese të eksploroje muzetë dhe baret e modës të Tiranës, dhe padyshim e këndshme të qëndroje në shtretër kabane përgjatë Rivierës Shqiptare.
Çuditërisht e populluar
Jenoa Matthes, një eksperte e udhëtimeve tha se ishte befasuese se sa të mbushura ishin bërë plazhet në qytetin bregdetar të Durrësit.
Nuk patëm kohë për të shkuar në Durrës, destinacioni më i njohur i plazhit në Shqipëri rreth një orë larg në perëndim të Tiranës.
Por, shumica e plazheve që vizituam në Sarandë dhe Ksamil ishin më të ngarkuara se plazhet e tjera.
Plazhi i Podës në Ksamil, i shfaqur në dhjetëra video virale në TikTok ishte një ‘parajsë’.
“Kudo që shkuam kishte plazhe idilike, bare verërash në majë të kodrave, restorante që shërbenin ushqim deti të klasit botëror”, shkruan Jenoa Matthes, një eksperte e udhëtimeve.
“Mendojmë se jemi plotësues në këtë hartë të turizmit mes Kroacisë, Italisë dhe Greqisë”, tha në një intervistë për “The Independent” në fillim të këtij viti, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.
“Pra, ne nuk do të shohim shumë hotele duke u ndërtuar”, shtoi ajo.
“Por, kjo është pikërisht ajo që pashë. Dhe rrezikon të shkatërrojë atraksionet natyrore që e bëjnë Shqipërinë të veçantë”, tha Matthes.
Turizmi masiv trondit Evropën
Pasojat e viteve të turizmit masiv tronditën Evropën këtë verë – pasi protestat antituriste mbushën rrugët e qyteteve kryesore spanjolle dhe demonstratat i detyruan anijet turistike të ndryshonin kursin.
Në Barcelonë, vendasit i lagën turistët me pistoleta uji. Në fillim të vitit, protestuesit në Ishujt Kanarie organizuan një grevë urie – në shenjë proteste ndaj rritjes së numrit të pushuesve. Qytetet duke përfshirë Vjenën, Berlinin dhe Barcelonën kanë vendosur kufizime në qiratë, që do të thotë se pronarët mund të japin me qira ambientet e tyre për turistët – vetëm për një periudhë të kufizuar, çdo vit.
Por, ndërsa shumë destinacione po tërhiqen nga turizmi, Shqipëria po ecën drejt një zhvillimi turistik me shpejtësi. Është e qartë se bumi i fundit i turizmit i ka dhënë Shqipërisë mundësi të jashtëzakonshme dhe sfida shqetësuese.
Por, mënyra se si zyrtarët e do drejtojnë trendin turistik – do të ketë implikime të thella për të ardhmen e ketij destinacioni – që dikur ishte vendi më i varfër dhe më i izoluar i Evropës. Shqipëria ofron diçka vërtet unike. Do të ishte një turp i madh për ta shkatërruar atë për hir të urisë turistike – që mund t’i çonte turistët e saj diku tjetër aq shpejt sa edhe mbërritën!