Pronat miliona euro dhe bizneset e Çilotajve dyshohet se janë krijuar me para të përfituara nga shfrytëzimi i femrave për prostitucion që prej vitit 2000.
Sipas të dhënave që i janë derguar drejtesisë shqiptare nga partnerët e huaj, vëllezërit Çilotaj dyshohet se kanë qenë të perfshirë në trafikun e femrave për prostitucion dhe në trafik droge që prej vitit 2000.
Xhevar Troka dyshohet se ka transferuar shuma të mëdha parash, nga llogaria e pikës së kembimit valutor që administronte, në llogarite bankare të Çilotajve. Këta të fundit mesohet se i deklaronin si të ardhura këto transferta.
Vëllezërit Çilotaj nga qyteti i Patosit, të cilët janë duke u hetuar nga Prokuroria e Fierit për pastrim të produkteve të veprës penale, pasi dyshohet se kanë blerë prona me para të përfituara nga veprimtari të paligjshme, kanë qenë në hetim për shfrytëzim prostitucioni edhe nga autoritete të huaja.
Nga burime të “Fax News” mësohet se një prej vëllezërve Çilotaj, Shpëtimi, dyshohet se ka shfrytëzuar femra për prostitucion që prej vitit 2000 e në vazhdim në shtetin fqinj, Itali. Gjithashtu, dyshohet se ata kanë qenë të përfshirë edhe në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas burimeve, dyshohet se pronat dhe bizneset e familjes Çilotaj janë siguruar nga ky aktivitet i paligjshëm. Kjo, pasi edhe nga marrja e deklarimeve të femrave që dyshohet se janë shfrytëzuar për prostitucion nga vëllezërit Çilotaj, janë siguruar të dhëna se disa prona në Fier e Durrës janë blerë me paratë e përfituara prej tyre.
Të dëmtuarat, mësohet të kenë deklaruar të dhëna të sakta lidhur me disa prona, si për vendndodhjen, ashtu edhe për kohën kur janë blerë apo ndërtuar. Ndërkohë, nga të dhënat e përcjella nga autoritetet e huaja, dyshohet se dy prej tre vëllezërve Çilotaj mund të kenë qenë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Madje, një prej tyre mësohet se ndodhet në burg për vrasjen e një prej femrave që dyshohet se e ka shfrytëzuar për prostitucion jashtë shtetit.
Nga hetimet ka rezultuar se ka qenë Vladimir Çilotaj ai që ka administruar bizneset e familjes që janë regjistruar në vitin 2008, ndërsa pronat janë blerë kryesisht në emër të babait dhe motrës së tyre. Për këtë arsye, Prokuroria e Fierit ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje dhe mos lejimin e ushtrimit të aktiviteteve ndaj Agur Çilotajt dhe vajzës së tij.
Nga verifikimi i pasurive dhe të ardhurave të përfituara nga bizneset e familjes. Çilotaj, ka rezultuar se, që në vitin e parë, kapitali i këtyre kompanive ishte shumëfishuar deri në 100 herë brenda vitit, gjë që nuk arrihej të faktohej me fitim real të tyre.
Ndërkohë, Xhevair Troka, i cili u ndalua edhe ai për pastrim të produkteve të veprës penale, dyshohet se nëpërmjet pikës së këmbimit valutor që administronte, kishte ndihmuar vëllezërit Çilotaj që legalizonin paratë e tyre. Rezulton që ai, në mënyrë të përsëritur, të ketë depozituar në llogaritë e vëllezërve Çilotaj shuma të mëdha parash. Mësohet se i ndaluari Troka ka pranuar të ketë kaluar në llogari të tyre vlera të mëdha parash të cilat sipas tij ishin të vëllezërve Çilotaj. Këta të fundit, i kishin deklaruar si të ardhura edhe këto para që transferonte Troka në llogaritë e tyre.
Madje, sipas prokurorisë, vëllezërit Çilotaj, edhe kreditë qindra mijëra euro i kanë marë vetëm me qëllim që të mbulonin prejardhjen e pasurive të tyre të paluajtshme.
Nga të dhënat e dosjes penale në ngarkim të vëllezërve Çilotaj, mësohet se ata zotërojnë rreth 80 apartamenteve në pallate dhe dhjetëra banesa në Fier, Vlorë, Tiranë, Durrës e Sarandë. Prokuroria e Fierit ka konstatuar edhe dhjetëra troje në Fier, Tiranë e Vlorë. Por, nga hetimet është konkluduar se pjesa më e madhe e pasurive të Çilotajve janë bllokuar nga bankat e nivelit të dytë, ku ata kanë marë më shumë se dy milionë kredi. Rreth 100 apartamente e banesa, trojet dhe rreth 31 automjete të llojeve të ndryshme janë sekuestruar me vendim gjykate ditën e premte të javës së kaluar. Gjithashtu, është sekuestruar edhe kompania “Ladi 2008”, magazinat ku u zbulua laboratori i drogës rreth një muaj më parë, rafineria e naftës dhe stani në Seman të Fierit.
Hetimi ndaj familjes Çilotaj për pastrim të produkteve të veprës penale ka nisur që prej vitit 2010. Ndërkohë, në vitin fillim të vitit 2011, Vladimir Cilotaj u arrestua së bashku me ish-shefin e komisariatit të Patosit, Gerjan Kondi, pasi u akuzuan për vjedhje të naftës bruto nga puset dhe depozitat e Albpetrolit. Edhe pse atëherë u hetuan për Pastrim të Prdukteve të Veprës penale, bizneset e familjes Çilotaj e vazhduan aktivitetin e tyre, deri në zbulimin e laboratorit të drogës që sapo ishte ndërtuar në magazinat në lagjen Mbrostar të qytetit të Fierit dhe kapjen e gomones në stanin e tyre. Në këtë laborator me sipërfaqe 300 metër katrorë, dyshohet se vëllezërit Çilotaj do të kultivonin e përpunonin lëndë narkotike të llojit canabisativa, ku kishin siguruar edhe infrastrukturën e nevojshme për trafikimin e drogës drejt Italisë./FAXWEB.AL