Nëse në Shqipëri ditët e fundit ka pasur disa takime të rëndësishme në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, iniciuar nga Presidenti Meta, Athina zyrtare e konsideron çështjen të mbyllur.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se Greqia i ka mbyllur gjithë çështjet hapura me Shqipërinë, dhe ka shprehur shpresën që së shpejti të kurorëzohet marrëveshja përfundimtare.
Në një intervistë të gjatë për televizionin grek Alpha TV, që u transmetua vonë mbrëmjen e të enjtes, zoti Kotzias tha ndër të tjera:
“Duhet t’ju them se kishim probleme të hapura me dy nga tre fqinjët tanë veriorë, me Shkupin dhe me Shqipërinë. Para një muaji e mbyllëm me Shqipërinë gjithë paketën e çështjeve të hapura që prej 70 vitesh. Dhe besoj se kjo është një gjë e mirë. Vendi nuk duhet të ketë probleme të hapura”.
Shefi i diplomacisë greke ka vënë në dukje mendimin e tij se Tirana dhe Shkupi “po tregojnë më shumë mençuri” sa u përket problemeve me fqinjët.
“Me palën shqiptare bisedimet tona dhe negociatat mbajtën dy vjet e gjysëm. Rrjedhimisht janë pjekur kushtet dhe ishte e natyrshme që që një moment të mbërrinim në një përfundim të mirë të tyre dhe shpresoj që të arrijmë aty”, tha Kotzias.
Ministri i Jashtëm grek nuk ka dhënë detaje mbi marrëveshjen e mundshme me palën shqiptare.
Por ajo që dihet derimë tani është se çështjet që janë shtruar për diskutim janë: finalizimi i marrëveshjes për zonat detare, rishikimi i teksteve shkollore dhe heqja e pjesëve që Athina konsideron se përmbajnë refermime irredentiste, gjendja e minoritetit grek në Shqipëri, me theks në të drejtën e pronës.
Kujtojmë se ditët e fundit Presidenti Meta ka pasur një seri takimesh me ish-presidentët e vendit në mënyrë që të vendos dhënien e plotfuqishmërinë ministrit Ditmir Bushati.
(E.K/FAXWEB)