Kryeredaktorja e Monitor, Ornela Liperi, duke folur në emisionin e Ylli Rakipit, deklaroi se paratë që do të ndërtohen kullat, nuk janë të bankave. Liperi, ngriti dyshime edhe për burimin e të ardhurave.
“300 mln euro janë vetëm për vitin 2018. Në Tiranë do të investohen rreth 800 milionë euro brenda 3 viteve, të mbledhura nga llogaria e të të ardhurave të grumbulluara nga Bashkia e Tiranës”, tha Liperi.
Më tej, gazetarja shprehet se e rëndësishme është se nuk ka një rritje të madhe të kredisë bankare, ndërsa për këtë jep edhe arsyetimin, ndërsa specifikon se këto para nuk vijnë nga bankat.
“Nuk ka ndonjë rritje të madhe të kredisë bankare dhe kjo është e rëndësishme, se nga vijnë këto para është pak e vështirë të kuptohet, por këto para nuk po vijnë nga bankat, këtë po them. Bankat janë të stepura për të kredituar sektorin e ndërtimit, pasi ndër të tjera edhe shumat e kërkuara janë të mëdha dhe nuk mund të jepen nga një bankë e vetme”.
Ornela Liperi thekson se nuk ka asnjë fuqi blerëse, pasi sipas saj çmimet do të jenë të larta. “Nuk ka një fuqi blerëse në vend për kullat pasi do të shiten me rreth 2 mijë euro metri katror. Sipërfaqe minimumi 100 metra katror dhe kostoja shkon diku te 200 mijë euro. Është e pamundur për një familje me të ardhura mesatare”, thotë Liperi.
Liperi shton se disa firma ndërtuese nëse kontrollohen në QKR shikon se janë “fantazmë”, pasi nuk kanë asnjë buxhet.