Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha sot se BE duhej të punojë më shumë për një mbështetje më të gjerë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i jashtëm Gabriel bëri thirrje për hapa konkrete për të shmangur që vendet e Ballkanit Perëndimor të humbasin interesimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Nuk duhet të ndodhë që në Serbi, për shembull, një pjesë e madhe e popullsisë sipas sondazheve ende beson se Rusia është mbështetësja më e madhe e vendit. Kur i hedh një vështrim Ballkanit, rajonin tonë fqinj, që është kaq i rëndësishëm për ne, shqetësohem për disa zhvillime atje.
Prandaj jam i bindur se të gjithë ne, veçanërisht vendet e rajonit, duhet të punojnë më shumë për një të ardhme paqësore, të begatë dhe evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe Europën në tërësi,”tha ministri i jashtëm gjerman.
Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ato të mos largohen nga ideja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
(M.D/Shuplaka)