Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, e cila mbrëmjen e sotme është e ftuar në “ABC News”, është shprehur se kreu i PD-së Lulzim Basha do të ketë shumë punë për t’iu afruar sadopak Sali Berishës.
“Doktori është ndër njerëzit më fisnik me jetën politike, me të mirat dhe të këqijat e veta, sepse çdo politikan dhe çdo njeri jam e bindur që ka të mirat dhe të këqijat e veta, nuk ka njeri pa gabime. Mendoj se zoti Basha do të ketë punë shumë të madhe për të arritur t’i afrohej sadopak. Do shpresoja sepse Partia Demokratike më shumë se kurrë ka nevojë për një lider si ai. “, është shprehur Kryemadhi.
Ndërkohë më herët, Kryemadhi është shprehur e hapur për një koalicion me Partinë Demokratike në shtator.
“Unë e them gjithmonë, e kam thënë edhe në Konventën e LSI-së, edhe më vonë në mbledhjen e partisë, që LSI është e hapur për koalicion opozitar pa dallime ideologjike, sepse me një opozitë të fortë rritet demokracia në Shqipëri, që Shqipëria e ka të nevojshme demokracinë pasi është ndër vendet e pakta postkomuniste që vazdon në tranzicion.
Unë nuk dua ta analizoj PD sepse nuk më takon sepse ata janë në debate të brendshme. Shpresoj t’i zgjidhin sepse opozita duhet të jetë e bashkuar sepse në fund të ditës do të shkojmë drejt një pike, që është interesi i qytetarëve.”, deklaroi Kryemadhi. (D.D/Shuplaka)