“Nëse shkelim rregullat ndëshkohemi të gjithë, nëse respektojmë rregullat lëvizim të gjithë lirshëm në vendet e BE”, kështu është shprehur drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Aida Hajna, e cila mbrëmjen e sotme ishte e ftuar në Ora News.
Ndërsa po fliste për rregullat e reja të vendosura për lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt zonës Shengen, Hajna është shprehur se ato po zbatohen me rigorizitet.
Ndër të tjera, drejtoresha për kufirin dhe migracionin, tha se në bashkëpunim me disa studio ligjore, po kryhen verifikime të rasteve kur institucione të caktuara lëshojnë vërtetime, të cilat shqiptarët i përdorin për të kërkuar azil.
Sipas Hajnës, problematike është mës të gjithave edhe braktisja e të miturve në vendet e BE-së, për një sërë motivesh.
“Kemi kontaktuar me prindërit për disa raste dhe kemi dhe procedime. Motivet që i kanë braktisur janë nga më të ndryshmet, ekonomik, dhunë në familje, motive që nga investigimi që është bërë më mbrapa nuk qëndrojnë.
Kemi ndërmjetësuar dhe me familjarët, me shtetet homologe kemi dhe marrëveshjen e ripranimeve, ku bëjmë dhe kthimin përsëri të fëmijëve në familje” , është shprehur Hajna.
E pyetur nëse është i mundur rikthimi i vizave për shqiptare, Hajna është shprehur që ky është diskutim që nuk është një mundesi reale, por bën thirrje që most ë rikthehet si diskutim.
“Nuk është një mundësi reale por duhet të marrim masa që të mos arrijmë në këtë diskutim. Shtetasit shqiptarë duhet të respektojnë lëvizjen e lirë, rregullat që janë përcaktuar në kodin Shengen, duke qëndruar brenda 180 ditëve vetëm 90 ditë që i lejohen, duke mos kërkuar azil në këto vende, duke mos kërkuar punësim në mënyrë të paligjshme.”, është shprehur Hajna.(D.D/Shuplaka)