Saimir Tahiri u shfaq i qetë teksa hynte e dilte ditën e sotme nga ambjentet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, teksa mësohet se kërkoi t’i hiqet masa e bllokimit të pasaportës.
Ai ka thënë në ambjentet e gjyqit se “nuk e kam problemin te masa, mund të më mbani edhe burg, por problemin e kam te principi. S’keni prova të reja, këto prova i keni pasur që në datë 20 tetor, por pse e keni kërkuar nje muaj e disa ditë me vonesë këtë bllokim? S’ka asnjë provë të re. Kam qenë në dijeni të këtyre provave që atëherë”.
Në nisje të seancës, Tahiri iu drejtua gjyqtares: unë jam njohur me masën dhe vendimin që ju keni caktuar ndaj meje dhe ju më keni thirrur për të më pyetur?
Më pas Tahiri ka bërë një arsyetim të gjatë për atë që sipas tij nuk do të largohet nga vendi pasi ai është i interesuar të dalë e vërteta, duke këmbëngulur që ka udhëtuar me makina të ndryshme por jo me persona të inkriminuar.
Tahiri ndër të tjera tha se nuk e vret në vetvete kjo mënyrë e bllokimit të pasaportës, por mënyra se si është caktuar kjo masë pa patur ndonjë prove dhe bazë të fortë, por mbi bazën e disa bisedave të disa trafikantëve.
Tahiri në asnjë moment nuk dha shpjegime lidhur me përberjen e atyre bisedave telefonike që Habilajt flisnin për dhurata të majme që ka përfituar Tahiri apo familjare të tij.
Ndëkohë që në dalje të Gjykatës, ish-ministri nuk preferoi që të fliste gjatë, duke thënë se do kishte kohë edhe për këtë. Avokati i tij Maks Haxhia nga ana tjetër akuzoi Gjykatën, duke thënë se është kthyer në një notere të vendimeve të Prokurorisë.
(E.K/FAXWEB)