Të mërkurën banorë të disa fshatrave në afërsi të zonës së Zall Herrit protestojnë për mungesën e infrastrukturës. Banorët shprehen se nuk kanë rrugë, kështu që dhe dërgimi i fëmijëve të tyre në shkolla mund të vihet në pikëpyetje.
Banorët e fshatrave Zall-Herr, Pinar, Priskë e Vogël dhe Herraj janë mbledhur në protestë dhe kanë bllokuar qarkullimin, në rrugën kryesore që lidh pjesën më të madhe të fshatrave me njësinë administrative Zall-Herr.
Banorët kërkojnë asfaltimin e rrugës nga njësia administrative në Zall-Herr deri në urën e fshatit Herraj me një distancë afërsisht 3.5 km.
Autoritetet prej 15 vitesh nuk kanë investuar në stabilizimin e situatës, prandaj banorët kërkojnë asfaltimin e saj sa më shpejt të jetë e munduar, pasi rreth 350 familje që preken nga rruga e shkatërruar nuk kanë si të dërgojnë fëmijët në shkollë.
Një tjetër problem për rrugën kanë qenë dhe mjetet e tonazhit të rëndë, të cilat gjatë qarkullimit të vazhdueshëm e kanë dëmtuar shumë këtë aks.