Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, është duke diskutuar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pas ndryshimeve Kushtetuese të datës 30 Korrik. Murrizi tha se që në krye të herës, ai së bashku me opozitën parlamentare ka kërkuar listat e hapura kombëtare, por në pamundësi që kjo të ndodhë, pasi sistemi nuk ndryshoi, ai tha se ka ardhur momenti që rregullat e lojës janë të njëjta.
Duke iu referuar amendamenteve të Gjiknurit, që në fakt mohojnë hapjen e listave, Murrizi tha se ajo që kërkon PS të bëjë në fakt është një sondazh me qytetarët, dhe jo hapje reale e listave.
“Nisur nga ndryshimi i rrethanave, u kujtojmë se ne kërkonim që në Janar të këtij viti listat e hapura kombëtare. Propozimi ynë nuk ka gjetur hapësirë në ndryshimet kushtetuese të 30 Korrikut, pasi ende ndarja do të jetë rajonale, ne i qendrojmë propozimit të së premtes. Nuk kërkojmë të kushtëzojmë asnjë subjekt politik, por as nuk mund të na kushtëzojnë as neve.
Unë përshëndes çdo propozim që është në sinkron me propozimin e 11 kolegëve të opozitës në Kuvend. Për të hapur listat 100% do të isha dakord me çdo lloj propozimi, duhet të ketë vullnet për të aplikuar ndryshimet Kushtetuese të 30 Qershorit.
Propozimi që PS ka bërë për listat, është një lloj sondazhi, ju thoni që ne listat i kemi të hapura, por nuk e respektojmë atë që propozojnë qytetarët. Pra nëse ju si mazhorancë doni të respektoni 1/3 e listës së mbyllur, po mos më pengoni mua që dua ti kem 100% të hapura. Ne në emër të 20 deputetëve kemi kërkuar hapjen e listave 100%, nëse jeni dhe ju dakord, atëherë mund të hyjmë në një garë të ndershme.
Ne kërkojmë që të na krijohen mundësitë që në datën 25 Prill të provojmë veten, kërkojmë uljen e pragut në 1%”, u shpreh Murrizi në fjalën e tij.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post