Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në një postim në rrjetet sociale , kreu i shtetit ka vlerësuar figurën e Kryepeshkopit ndërsa ka ngushëlluar besimtarët për humbjen.
“Shqipëria humbi sot Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar. Ai ishte një shembull i palodhur i përkushtimit shpirtëror dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që e ndoqën.
Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet tona më të thella për Kishën dhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar. Trashëgimia e Fortlumturisë së tij do të mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e atyre që e nderuan dhe e donin.
Lutemi që Zoti t’i dhurojë prehjen në tendat e të drejtëve dhe qoftë kujtimi i tij i përjetshëm!”, shkruan Begaj.