Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se do të depozitohej një projektligj në kuvend ku do kërkohej legalizimi i të gjithë ndërtimeve pa leje të ndërtuara deri më tani, në mënyrë që asnjë qytetar apo biznesmen të mos shantazhohej dot nga qeveria në kohë zgjedhjesh.
Ndërsa sa i takon deklaratës së Ramës për ndërtimet pa leje, Meta u shpreh se kryeministri kishte favorizuar klientë të tij madje edhe kishte bërë ligje të posaçme për biznesmenë të caktuar.
Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta: E ka syrin pishë për të parë kotecin e 82 vjeçares në Vlorë. E ka pishë edhe për të parë këto avllitë e banorëve por nuk i punojnë sytë në ato gradacelat ku vete pi kafe çdo ditë. Partia e Lirisë është e vendosur t’i japë fund kësaj loje. Pas 10 vitesh nuk ka kujt t’i ankohet askujt për ndërtimet pa leje. Kjo është një lojë që nuk funksionon më.
Ne jemi të vendosur të depozitojmë një ligj në kuvendin e Shqipërisë në mënyrë që të gjitha ndërtimet e bëra nga qytetarët të legalizohen pa lekë. Në këtë mënyrë qytetarët do shpëtojnë njëherë e mirë nga makthi i presionit të shtetit të tyre. Të bëhet e qartë se kush ndërton pa leje pas kësaj date do të shembet. Shpejt brenda 1 muaji do ta dorëzojmë projektligjin në kuvendin e Shqipërisë për t’i dhënë fund shantazhit nga Edi Rama.
Absolutisht i ka në të gjitha raportet ndërkombëtare, edhe korrupsionin. Jo vetëm që ka favorizuar gjithë klientelën e tij me tendera sekretë pafund por ai ka bërë ligje për biznesmenë. Janë nja 70 ligje atje që janë bërë me porosi, si rrobaqepës. Ata kanë shkruajtur sa kanë dashur të përfitojnë dhe ai ua ka plotësuar këtë dëshirë. Së dyti, cilës drejtësi? Ka 6 vite që ka gjithë kontrollin e drejtësisë, kush e beson në këtë vend që vettingun nuk e kontrollon Edi Rama? Kush e beson se kemi një drejtësi të pavarur?