Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi dolën pasditen e kësaj të diele në konferencën zyrtare për media, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Polonisë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”, që është planifikuar të nisë në ora 20:45 e që do të zhvillohet në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë.
Trajneri Silvinho u shpreh se e njeh kundërshtarin, e vlerëson forcën e tij por theksoi se skuadra e tij është gati dhe do të zbresë në fushën e lojës me përqendrimin e duhur, shpirtin e duhur dhe grintën e duhur për të marrë rezultatin pozitiv duke ditur objektivin që kuqezinjtë kanë.
“Jemi gati për ndeshjen me Poloninë. Pas dy muajsh e gjysmë punë, për të njohur të gjithë lojtarët shqiptarë, flasim praktikisht për 70 lojtarë të monitoruar nga stafi, kemi parë 240 ndeshje dhe zgjodhëm 23 për këtë ndeshje të parë kualifikuese. E dimë që është ndeshje e vështirë, por do të luhet, janë 90 minuta për t’u luajtur. Janë të fortë, por jemi të lumtur me punën me të gjithë dhe atmosferën që kemi filluar të krijojmë me ta. Kemi një shans gjithmonë por të gjithë së bashkë është më e lehtë”, ka deklaruar fillimisht selektori i kuqezinjve.