Policia e Shtetit ka zbuluar se grabitësi Astrit Thaçi nuk vepronte i vetëm, pasi ndihmohej nga një 20-vjeçare me banim në Tiranë.
A. B., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, dyshohet se e ka përkrahur shtetasin A. Th., duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e Policisë.
Policia e Shtetit dha sot njoftimin zyrtar mbi arrestimin e 27-vjeçarit Astrit Thaçi, i cili dyshohet si autor i të paktën 8 grabitjeve në Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Mes tyre Thaçi ka grabitur dhe filialin e Kredo.al në Durrës, ka plagosur kryefamiljarin në tentativë për të grabitur një banesë, dhe rasti më i fundit ishte dje kur vodhi një argjendari në qytetin e Elbasanit.
Ai ka qenë i dënuar dhe më parë për vjedhje në Itali, ku dhe ka vuajtur një dënim me 7 vite burg.
Ne momentin e arrestimit, Thaçit iu gjetën dhe sekuestruan sendet e mëposhtme:
-17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni “Trajektorja”.
Policia e Durrësit vë në pranga bashkëpunëtoren e autorit A. Th.
Arrestohet 20-vjeçarja që ndihmonte autorin e vjedhjeve me armë e dhunë, për t’i shpëtuar forcave të Policisë.
Në vijim të operacionit “Trajektorja”, zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, operacioni ka vijuar edhe paraditen e sotme.
Mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë nga veprimet proaktive të kryera, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen A. B., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.
Kjo shtetase dyshohet se e ka përkrahur shtetasin A. Th., duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.